Panairi (Foto nga ATSH)
Shqipëria mori pjesë për herë të parë në Panairin e Ushqimit në Las Vegas, SHBA, organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
Pavijoni i Shqipërisë në stendën 1231 ishte plot me vizitorë, teksa prodhuesit kryesorë shqiptarë të vajit të ullirit, bimëve mjekësore dhe bimëve aromatike shfaqën produktet e tyre në një nga skenat më prestigjioze në botë, bën të ditur “ATSH”.
Ndërsa ndau foto nga stenda shqiptare në këtë panair, kryeministri Edi Rama e konsideroi një moment historik për agrobizneset shqiptare, që prezantuan produktet e tyre në këtë event të rëndësishëm global.
Kryeministri theksoi se ky panair pritet të hapë tregje të reja të eksportit të produkteve “Made in Albania”, si vaji i ullirit, bimët mjekësore dhe aromatike por edhe shumë produkte të tjera që prodhohen në Shqipëri.
Me mbi 130 ekspozues, panairi u ofroi kompanive shqiptare një mundësi për të eksploruar teknologjitë e reja dhe për tendencat që po i japin formë industrisë.