Konferenca “Gruaja, paqja, siguria”, Koçiu: Qeveria shqiptare, qasje të re për fuqizimin e gruas
2024-11-07 14:39:01

foto: ATSH

foto: ATSH

Konferenca kombëtare “Gruaja, paqja, siguria”, e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me “UN Women”, mblodhi zyrtarë të lartë të qeverisë dhe përfaqësues ndërkombëtarë për të diskutuar lidhur me sfidat dhe mundësitë që gratë të kontribuojnë në axhendën e paqes dhe sigurisë, si dhe për prezantimin e planit kombëtar të veprimit për zbatimin e rezolutës 1325 të OKB-së për gruan, paqen dhe sigurinë.

Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, tha se konferenca shërben për të riafirmuar rolin thelbësor të gruas në shoqëri, citon “ATSH”. Ajo vuri në dukje se Shqipëria është pjesë e mbi 100 vendeve të botës që kanë miratuar një plan veprimi për rezolutën 1325.

“Të njëjtat të dhëna tregojnë se vendet me nivel më të lartë të barazisë gjinore kanë shumë më pak gjasë që të përdorin forcën për të zgjidhur konfliktet e tyre. Ekziston një korrelacion i qartë midis gruas dhe paqes: Një ekuacion që thotë: Gruaja baras paqe! Personalisht, ndihem vërtet e privilegjuar që jam pjesë e një prej të paktave kabinete në botë që përbëhet me shumicë nga gratë. Shqipëria ka sot më shumë gra se kurrë më parë në Forcat e Armatosura, në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse, në diplomaci, në Policinë e Shtetit, si dhe në nivelet drejtuese”,- nënvizoi ministrja.

Duke shprehur angazhimin e ministrisë që drejton në koordinimin e procesit, ministrja Koçiu u shpreh se më shumë përfshirje, më shumë zë nga ana e gruas është garancia më e mirë për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.