Kina, nr. 1 në botë për aplikimet për patenta shpikjesh më 2023
2024-11-07 20:36:29

foto VCG

foto VCG

Kina u radhit në vendin e parë në botë me 1.64 milionë aplikime për patenta shpikjesh në vitin 2023, sipas raportit vjetor mbi "Treguesit e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale Botërore", të publikuar të enjten nga Organizata Botërore e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, me seli në Gjenevë.

Në raport vihet në dukje se gjatë vitit 2023, numri i aplikimeve në mbarë botën për patenta shpikjesh shënoi përsëri rekord, duke i kaluar për herë të parë 3.5 milionët. Pavarësisht nga sfidat në mjedisin makroekonomik, vëllimi i aplikimeve globale për patenta u rrit për të katërtin vit me radhë.

Për sa u përket patentave të shpikjeve, Kina pasohet nga ShBA-ja (518 mijë), Japonia (414 mijë), Koreja e Jugut (288 mijë) dhe Gjermania (133 mijë), sipas raportit. Ndërkohë, numri i aplikimeve për patenta nga India pati shtimin më të shpejtë, duke arritur në 15.7 për qind e duke realizuar rritje dyshifrore për të pestin vit radhazi.

Teknologjia kompjuterike mbetet teknologjia me më shumë në patenta të publikuara në botë, duke zënë afro 12.4 për qind të sasisë së përgjithshme. Ajo pasohet nga makineritë elektrike (6.8 për qind), matja (5.9 prë qind), teknologjia mjekësore (5.4 për qind) dhe telekomunikacioni (5.3 për qind).

Gjatë vitit 2023, aplikimet nga Kina për patenta mbi dizajnin e jashtëm arritën në 882 mijë, duke zënë vendin e parë në botë dhe duke u pasuar nga ShBA-ja me 69 mijë, Gjermania me 65 mijë dhe Italia e Koreja e Jugut me nga 60 mijë.

Po vjet Kina ishte vendi me më shumë tregues gjeografikë të vlefshëm në territorin e vet, ndërsa Gjermania e Hungaria u radhitën në vendin e dytë dhe atë të tretë.