Teknologji kuantike në Universitetin e Durrësit, i pari institucion në Ballkanin Perëndimor
2024-11-07 10:22:54

Universiteti i Durresit (Foto nga Sotnews)

Universiteti i Durresit (Foto nga Sotnews)

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka hapur një program të ri studimi, atë të “Teknologjisë kuantike”, duke u bërë kështu universiteti i parë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor që çel këtë degë. Ky program studimi është risi dhe i përket fushës së teknologjisë së informacionit dhe kompjuterave kuantikë, por në një shkallë më të avancuar, bën të ditur “RTSH”.

Rektori i universitetit “Aleksandër Moisiu”, Shkëlqim Fortuzi, thotë se 15 studentët që janë bërë pjesë e këtij programi do të jenë pjesë e një sektori në zhvillim, i cili bëhet gjithnjë e më i prekshëm në ekonominë globale.

“Ky program është bashkëkohor, është teknologji mjaft e përparuar e cila do të zbatohet në fusha mjekësore, kibernetike apo teknologji të tjera të përparuara. Në këtë master vlen të theksohet cilësia e programeve të cilat janë hartuar në bashkëpunim me universitete europiane dhe amerikane”,- tha Fortuzi.

Pjesa më e madhe e stafit akademik, që angazhohet në programin “Teknologji kuantike”, janë ekspertë të huaj dhe leksionet janë në gjuhën angleze dhe italiane.

Universiteti i Durresit ka gjetur një mbështetje të madhe nga universitete dhe bota e biznesit në SHBA. Qëllim kryesor i këtij programi është të përgatisë specialistë të aftë për t’iu qasur botës së teknologjive kuantike me njohuritë dhe kompetencat që kërkon tregu i punës.