Foto nga VCG
Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës (CIIE), e mbajtur për të shtatin vit radhazi, po vendos vazhdimisht rekorde të reja, me 3 496 ekspozues nga 129 vende e rajone, 297 kompani të listës së 500 sipërmarrjeve kryesore globale të revistës "Fortune" ose që janë ndërmarrje udhëheqëse të industrive të tyre. Një sondazh i kryer nga CGTN-i me 33 858 pjesëmarrës globalë tregon se 67 për qind e tyre besojnë që Kina është një treg i lirë i hapur dhe konkurrues. Përqindja e të anketuarve që kanë të njëjtën pikëpamje në Afrikë, Lindjen e Mesme, Amerikën e Jugut dhe Azinë Juglindore është përkatësisht 86.6 për qind, 88.2 për qind, 77.9 për qind e 78.6 për qind.
Hapja është koncepti kryesor i CIIE-së dhe një shenjë e modernizimit të stilit kinez. Sipas statistikave të Doganave Kineze, në tre tremujorët e parë të këtij viti, vlera e përgjithshme e importit dhe eksportit të Kinës arriti nivele të reja, duke i kaluar në çdo tremujor 10 trilionë juanët dhe duke arritur mbi 32 trilionë RMB për herë të parë në histori.
Në sondazh, 77.5 për qind e të anketuarve besojnë se mjedisi i biznesit të Kinës është tërheqës për investitorët; 73.9 për qind e të anketuarve globalë mbështesin pjesëmarrjen e vendeve dhe kompanive të tyre në projektet e bashkëpunimit ndërkombëtar të iniciuara nga Kina; 78.5 për qind e atyre që morën pjesë në sondazh besojnë që vendet e tyre përfitojnë nga tregtia me Kinën dhe që hapja e vazhdueshme e nivelit të lartë e Kinës do të sjellë mundësi më të gjera tregu për partnerët tregtar, ndërsa 84.3 për qind e pjesëmarrësve mendojnë se Kina është vendimtare për qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë industrialë dhe të furnizimit.
Foto nga VCG
CIIE, e mbajtur për shtatë vjet radhazi, ka sjellë një pamje të re në botë në çdo edicion. Roli i kësaj ekspozite si një produkt publik ndërkombëtar është bërë gjithnjë e më i dukshëm dhe ekspozuesit nga vendet e Jugut Global e kanë ndier veçanërisht ndikimin e saj. CIIE solli arra akazhu nga Tanzania, speca nga Ruanda dhe mjaltë nga Zambia në familjet kineze, duke përshpejtuar integrimin e këtyre vendeve në procesin e globalizimit. Ekspozita e këtij viti ka ofruar mbi 120 kabina ekspozimi falas për 37 vende më pak të zhvilluara dhe ka zgjeruar seksionin e produkteve afrikane. Ajo ndihmon në zgjerimin e hapjes së njëanshme ndaj vendeve më pak të zhvilluara, duke vënë në praktikë konceptin e përfshirjes e të barazisë me anë të veprimeve konkrete.
Në sondazh, 89.9 për qind e të anketuarve afrikanë vlerësuan vëmendjen dhe mbështetjen e Kinës për vendet e Jugut Global; 78.2 për qind besojnë që Kina është e përkushtuar për ta lidhur ngushtë zhvillimin e saj me zhvillimin e Afrikës, duke integruar mundësitë e veta me ato të Afrikës; dhe 92.1 për qind përkrahin pjesëmarrjen aktive nga vendet afrikane në programet e bashkëpunimit ndërkombëtar të iniciuara nga Kina.
Kina ka qenë gjithmonë një mundësi e rëndësishme për zhvillimin global dhe qëndrueshmëria e ekonomisë së saj e bën këtë mundësi edhe më të sigurt. Në themel të suksesit gjithnjë e në rritje të CIIE-së qëndron besimi global në perspektivat ekonomike të Kinës dhe madhësia e saj e madhe e tregut. Në sondazh, 92.3 për qind e pjesëmarrësve globalë vlerësuan fuqinë e madhe ekonomike të Kinës; 91.9 për qind besojnë që shpejtësia e zhvillimit ekonomik të Kinës është e lartë; 81.3 për qind mendojnë që bazat pozitive afatgjata të ekonomisë kineze nuk kanë ndryshuar dhe 89.2 për qind vlerësojnë lart kontributin e Kinës në ekonominë botërore në vitet e fundit.
Të dhënat e mësipërme vijnë nga Sondazhi Global i Pëlqyeshmërisë së Kinës për vitin 2024 dhe Sondazhi për Marrëdhëniet Kinë-Afrikë të zhvilluara nga CGTN-i. Pjesëmarrësit janë nga vendet e zhvilluara, si Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Japonia, si edhe nga vendet në zhvillim, si Egjipti, Brazili dhe Nigeria. (Çang Çuo)