Presidenti turk (Foto Atsh)
Partneri i qeverisë së presidentit turk, kreu i Partisë ultra-nacionaliste të Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, propozoi një amendament kushtetues për t’i mundësuar Recep Tayyip Erdogan të kandidojë sërish në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, shkruan “ATSH”.
Ai deklaroi gjatë seancës parlamentare të radhës se rizgjedhja e Erdoganit është zgjedhja e natyrshme dhe e duhur.
Bahçeli theksoi se partia e tij është e gatshme të mbështesë përpjekjet për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese.
Sipas Kushtetutës turke, Erdogan nuk lejohet më të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të planifikuara për vitin 2028. Megjithatë, ligji lejon një përjashtim dhe presidenti, në mandatin e tij të dytë, mund të kandidojë në rast se Parlamenti shpall zgjedhje të parakohshme.
Koalicionit qeverisës të Erdoganit i mungon shumica e tre të pestave në Parlament, që nevojiten për zgjedhje të reja ose një amendament kushtetues.
Bahçeli, kohët e fundit, bëri thirrje për një proces të mundshëm paqeje midis shtetit turk dhe Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Vëzhguesit e shohin këtë si një përpjekje për të bindur Partinë pro-kurde për Barazinë dhe Demokracinë e Popullit (DEM) që të ndihmojë në sigurimin e shumicës së nevojshme parlamentare dhe kështu të hapë rrugën për kandidaturën e Erdoganit.