Ministri Vengu: Të angazhuar për inovacion dhe investime të huaja në fushën luftarako-detare
2024-11-06 12:05:28

Foto nga ATSh

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori pjesë në panairin “Euronaval”, i organizuar në Francë, i cili i kushtohet industrisë luftarako-detare, shkruan “ATSH”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Vengu deklaroi se gjatë kësaj vizite u takua dhe shkëmbeu mendime me gjeneralin Thierry Carlier, drejtor ekzekutiv i Drejtorisë së Përgjithshme të Armatimit në Ministrinë e Ushtrisë së Francës.

“Biseduam për projekte potenciale në kuadër të bashkëpunimit institucional dhe ushtarak, përfshirë rivitalizimin e industrisë ushtarake në Shqipëri dhe mundësinë e përfshirjes së kompanive franceze në rritjen e kapaciteteve të Forcave të Armatosura Shqiptare”,- njoftoi ministri Vengu.

Ai nënvizoi se ndërsa dinamikat globale të sigurisë evoluojnë, teknologjitë e avancuara detare po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.

Si pjesë aktive e këtij zhvillimi, nënvizoi ministri Vengu, Shqipëria është e angazhuar për të inkurajuar inovacionin dhe investimet e huaja në fushën luftarako-detare.