Jep dorëheqjen ministri serb pas tragjedisë me 14 viktima në Novi Sad
2024-11-06 12:22:02

Foto nga VCG

Ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës i Serbisë, Goran Vesic, njoftoi dorëheqjen, pas incidentit në Novi Sad, që i mori jetën 14 personave, shkruan “Panorama”.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ai tha se nuk e pranon fajin për incidentin, por se po tërhiqet si njeri i përgjegjshëm.

“Nuk mund ta pranoj fajin për vdekjen e 14 personave, sepse as unë dhe as personat që punojnë me mua nuk kemi as më të voglën përgjegjësi për tragjedinë që ndodhi”, tha Vesic, i cili theksoi se si ministër nuk ka miratuar asnjë akt që mund të ketë ndikim në rezultatin e projektit të rindërtimit të stacionit hekurudhor në Novi Sad.

Ai i bëri thirrje prokurorisë të përcaktojë se kush e ka përgjegjësinë për vdekjen e 14 personave.

Vesic tha se dorëheqjen ia ka komunikuar në të njëjtën ditë kur ndodhi aksidenti kryeministrit serb Millosh Vucevic dhe presidentit Aleksandar Vucic.

14 persona humbën jetë si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor në qytetin verior të Serbisë të premten. Tre njerëz u lënduan dhe janë ende në gjendje të rëndë.

Nuk dihen ende arsyet e shembjes së strehës së betonit të Stacionit Hekurudhor.

Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad bëri të ditur se ka dëgjuar dëshmitë e 40 njerëzve deri më 3 nëntor, duke përfshirë ministrin Vesic dhe personat përgjegjës për mbarëvajtjen e stacionit.