Foto nga VCG
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Analena Burbock, njoftoi ndihmën shtesë prej 200 milionë eurosh për të mbështetur qytetarët ukrainas për të kaluar sa më lehtë dimrin, mes sulmeve të vazhdueshme ruse në infrastrukturën e vendit, shkruan “Panorama”.
Paratë do të përdoren në mënyrë që banesat pranë vijës së parë të frontit të furnizohen me karburant dhe pajisje bazë për t’u ngrohur gjatë dimrit.
Gjatë vizitës së papritur të zhvilluar në Kiev, kryediplomatja gjermane tha se ukrainasit mund të pajisen me sende bazike, batanije, pallto të ngrohta për t’i mbajtur ata sa më ngrohtë në ditët e ftohta të dimrit.
Rusia ka synuar qëllimisht infrastrukturën jetike në të gjithë vendin, duke bombarduar stacionet e energjisë dhe duke shkatërruar linjat e energjisë, duke lënë në këtë mënyrë ukrainasit pa energji elektrike dhe pa ngrohje.
Me ndihmën e fundit, ndihma gjermane për Ukrainën për qëllime humanitare arrin në 390 milionë euro.