Ministrja Ibrahimaj: Teknologjia e informacionit, shtyllë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik
2024-11-06 10:27:20

Ministrja Ibrahimaj (Foto Atsh) 

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një takim me themeluesit e startup-eve fituese të “Grante 2024” në sektorin e teknologjisë së Informacionit.

Gjatë takimit ata ndanë me ministren Ibrahimaj projektet inovative dhe vizionin për zhvillimin e teknologjisë në vend.

“Teknologjia e Informacionit është një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe për fuqizimin e bizneseve, duke krijuar mundësi të reja për transformimin digjital të Shqipërisë”, tha Ibrahimaj, shkruan “ATSH”.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se “e-Frutza”, “Solaris Nexus”, “Veriflot Assist”, “Navitics”, “VrapOn”, “Kineton Albania” dhe “LookUp” janë startup-e që me mbështetjen totale prej 27.150.000 lekësh nga “Grante 2024” po zhvillohen më tej dhe po kontribuojnë në përmirësimin e ekosistemit të inovacionit në Shqipëri.

Synimi i programit “”Grante 2024” është të stimulojë sipërmarrjen dhe krijimin inovativ të kompanive të bazuara në dije, nëpërmjet bizneseve startup të sektorit privat duke ofruar financim për projekte të orientuara nga tregu me potencial të lartë komercializimi dhe një model biznesi të shkallëzuar. Shuma totale dhe burimi i fondeve të alokuara për thirrjen publike “Grante 2024” ishte 300 milionë lekë.

Ky fond synon të ofrojë mbështetje financiare për fazën vendimtare të zhvillimit dhe të ndihmojë në krijimin e përmirësimeve substanciale në produkte, procese ose shërbime të reja dhe ekzistuese.