Ekspo 7 e Shangai-t dhe eksportet shqiptare
2024-11-05 16:05:14

Ekspozita e 7-të Ndërkombëtare e Importit të Kinës po mbahet në Shangai nga datat 5 deri më 10 nëntor, në Qendrën Kombëtare të Ekspozitave dhe Konventave te qytetit. Kjo ekspozitë përfaqëson një nga panairet më të mëdha tregtare në Kinë dhe në botë. Ajo lehtëson bashkëpunimin ekonomik të vendeve dhe rajoneve nga  i gjithë globi, duke forcuar marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe tregtare.

Ekspozita përfaqëson pa dyshim një kanal konkret dhe periodik që zhvillon ndjeshëm tregtinë ndërkombëtare, duke nxitur qarkullimin e brendshëm, importin e pajisjeve moderne, teknologjisë së informacionit dhe mallrave të konsumit, për të ndihmuar përmirësimin e industrisë dhe rritjen e cilësisë së konsumit. Krahas kësaj, ajo promovon si qarkullimin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm tregtar,  me lidhjen e ekspozuesve ndërkombëtarë dhe atyre vendës.

Ekspozita e 7-të Ndërkombëtare e Importit të Kinës po shfaq gjashtë fusha kryesore ekspozimi: atë ushqimore dhe produktet bujqësore, automjetet, industrinë inteligjente dhe teknologjinë e informacionit, mallrat e konsumit, pajisjet mjekësore dhe produktet e kujdesit shëndetësor, si dhe tregtinë e shërbimeve.

foto: CGTN

foto: CGTN

Produktet nga vende të ndryshme kanë mbërritur në Shangai nëpërmjet transportit detar, atij ajror dhe trenave të linjës Evropë-Kinë. Vendet pjesëmarrëse dhe organizatat ndërkombëtare kanë përgatitur eksponatet dhe projektuar me sukses pavijonët. Në ekspozitë marrin pjesë mbi 160 vende dhe organizata ndërkombëtare, ndërsa numri i ekspozuesve e tejkalon atë të vitit të kaluar.

Vende si Norvegjia, Sllovakia, Benini, Burundi dhe Madagaskari, por edhe organizata si UNICEF, marrin pjesë për herë të parë me pavijone të veçanta.

Ekspozita e Shangait e Importit të Kinës ka hyrë në vitin e shtatë të saj. Ajo është kthyer në një platformë për nxitjen e politikave të hapjes së Kinës, duke shërbyer si një produkt publik global.

Emrat e njohur që marrin pjesë sivjet në ekspozitë përfshijnë rreth 60 përqind të kompanive të renditura në listën "Fortune 500". Këto janë kompani lider në industritë e tyre përkatëse. Ato  përfshijnë ndër markat më të mëdha të makinave në botë, ndër kompanitë më të mëdha industriale elektrike dhe ndër kompanitë më të mëdha të pajisjeve mjekësore. 

Vendet pjesëmarrëse të nismës "Një brez, një rrugë" zënë shumicën e pavijoneve kombëtare. Në ekspozitën e sivjetshme ka edhe teknologji të fjalës së fundit, si energjia me lëshim të ulët karboni dhe inteligjenca artificiale. Me qindra produkte, teknologji e shërbime të reja po shfaqen në këtë ekspozitë ndërkombëtare në Shangai.

Që nga organizimi i parë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës në Shangai në vitin 2018, në të gjitha edicionet e saj deri tani janë paraqitur me mijëra produkte, teknologji dhe shërbime të reja, ndërsa janë nënshkruar marrëveshje me vlerë mbi 440 miliardë dollarë, çka ka stabilizuar tregtinë dhe investimet ndërkombëtare.

Kina ka bë publike një sërë politikash për të stabilizuar rritjen e tregtisë së jashtme dhe për të pëmirësuar strukturën e importeve të saj. Ajo do të vazhdojë të ofrojë mbështetje me politika, duke përfshirë taksa  të favorshme importi dhe krijimin e zonave demonstruese të importit. Eksperti  i ekonomisë Eduart Gjokutaj komenton për Grupin Mediatik të Kinës(CMG) këtë platformë të rëndësishme të shkëmbimeve tregtare në nivel global.

CMG: Një nga panairet më të mëdha tregtare në botë, Ekspozita e 7-të Ndërkombëtare e Importit të Kinës, po mbahet në Shangai nga datat 5 deri më 10 nëntor. Pse ajo i ndihmon vendet dhe rajonet në të gjithë botën, për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe shtuar tregtinë mes tyre?

 

Eduard Gjokutaj: Shangai është jo vetëm qyteti-port më i rëndësishëm i  Kinës dhe i ekonomisë kineze. Nga ana tjetër, prej shumë kohësh, ai është qyteti i panaireve. Po të shikosh në lajmërimet dhe informacionet për aktivitetet e tij, janë mbi 100 panaire në vit që zhvillohen aty.

Shangai është qyteti ekspozitë i industrisë kineze, tregtisë dhe teknologjisë kineze. Edhe Ekspozita e Importit të Kinës është një ekspozitë ndërkombëtare që i dedikohet teknologjisë, pavarësisht se është për importet kineze.

Në fakt, aktiviteti atje i dedikohet edhe eksporteve dhe zhvillohet në një kontekst të atyre që janë ndryshime gjeopolitike dhe ekonomike ne bote. Synimi i ekspozitave në Shangai është shumëplanësh. Nga njëra anë, Kina përpiqet të promovojë jo vetëm atë që ajo përmban si treg, por edhe të ftojë ata që janë të interesuar, pasi tregu kinez është joshës dhe potencial për shumë prodhues dhe industrialistë  të botës.

 

CMG: Expo 7 Shangai ka zgjeruar hartën e pjesëmarrësve nga Evropa deri në Afrikë, me vende si Norvegjia, Sllovakia, Benini, Burundi dhe Madagaskari, por edhe organizata si UNICEF, që marrin pjesë me pavione të veçanta. Komenti juaj, ju lutem.

 

Eduard Gjokutaj: Më së shumti, ekspozita dhe pjesëmarrësit e saj, përveç kësaj që ju thoni, tregon edhe interesin e shtuar për marrëdhënie dypalëshe në relatat me ekonominë kineze.

Kjo ekonomi, e dyta më e madhe në botë, në vetvete është një ekonomi që ofron atë çfarë duan me qindra mijëra prodhues, me qindra mijëra industrialistë.  Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës në Shangai është një ekspozitë e tillë, që jo vetëm shet, por edhe blen.

Çdo pjesmarrës që merr pjesë në këtë ekspozitë, përveç interesit që shkon dhe shet shumë produkte në ekspozitë (dhe kjo nuk është gjë e vogël për ata që janë biznese të mesme), nga ana tjetër, ka mundësi të ekspozojë markat e veta në industrinë kineze. Madje, mund ta bëjë këtë edhe me partnerë të tjerë, duke zgjeruar kështu rrjetin tregtar dhe atë të klientelës.

Po ashtu, pjesmarrja në këtë ekspozitë është edhe një mundësi për t’u njohur me industrialistët më të mëdhenj të botës, por edhe për të mësuar nga më të mirët.  Pra, ekspozitat, sidomos ato kineze, kanë karakteristika të tyre për të organizuar seminare, trajnime të ndryshme, të cilat japin ato lloj njohurish që u duhen shumë pjesmarrësve, kur vijnë investimet e huaja në vendet e tyre.

Kjo është një qasje, që përveç tarifës së pjesmarrjes falas, zero, natyrshëm që interesi është i madh për ata që marrin pjesë. Dhe jo vetëm të kompanive kineze, atyre që janë mikpritëse të kësaj ekspozite.

 

CMG: Duke parë hartën e pjesmarrësve në Expo-n e Shangait këto ditë nëntori, duket qarte se kontradiktat me Bashkimin Evropian për importin e automjeteve elektrike kineze në vendet e BE-së nuk kanë ndikuar në tkurrjen e dëshirës së Kinës për importe nga vendet anëtare të BE-së, përkundrazi. Këto vende janë të pranishme me produkte gjithnjë e më të shumta. Si e gjykoni këtë?

Eduard Gjokutaj: Do të thoja që marrëdhëniet tregtare BE-Kinë janë marrëdhënie që jo vetëm ndikojnë peisazhin tërësor ekonomik europian, por edhe peisazhin e ekonomisë dhe tregtisë botërore. Kjo, pasi kemi të bëjmë me atë pol që, dashur pa dashur është ndikues në atë çfarë Kina orienton për tregtinë dhe ekonominë e saj.

Nisur nga marrëdhëniet e evidentuara gjeopolitike, nga ana tjetër, ndërvarësia dhe ndërlidhja që kanë ekonomitë me njëra- tjetrën dhe pjesa, interesi i ardhmërisë ekonomike, e zhbëjnë edhe atë lloj konflikti të momentit, për të ringritur marrëdhëniet në një pozicion të ri gjithëpërfshirës.

Pjesmarrja në këto lloj takimesh dhe ekspozitash i ripërmason edhe njëherë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, duke u dhënë një dimension të ri.

Këto janë elementë, që së pari ndikojne direkt tek njerëzit që marrin pjesë. Tek e fundit, janë bizneset që marrin vendimet dhe qeveritë  duhet t’iu përshtaten atyre.

CMG: Përmes Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit në Shangai, Kina realizon politikat e saj mbështetëse për thithjen e sa më shumë importeve, duke përfshirë edhe taksa të favorshme për futjen e mallrave nga të gjitha vendet e botës. Për shembull, Maqedonia e Veriut ka përfituar nga taksat e favorshme për eksportin e birrës së saj në Kinë. A munden të depërtojnë në tregun kinez edhe eksportuesit  shqiptarë të pijeve alkolike, mjaltit, vajit të ullirit dhe vetë birrës?

Eduard Gjokutaj: Më së pari, për të bërë të mundur gjithë këtë lloj qasje, nevojitet të jesh me nivel të lartë konkurrueshmërie brenda rajonit.

Duke qenë i tillë, kjo konkurrueshmëri përkthehet në kosto të ulta, pasi kjo do të thotë që të hysh në treg me kosto të ulët dhe cilësi të pranueshme, sipas standarteve që ka tregu. Dhe tregu kinez i ka standardet shumë të larta.

Në këtë mes ndikon si ajo çfarë ndodh brenda vendit tonë, por, nga ana tjetër, edhe nga ajo nga çfarë nxiten vetë bizneset, të cilat, mbi bazën e marrëdhënieve që ne kemi, e kanë kthyer Kinën në partnerin e dytë tregtar të Shqipërisë.

Kjo qasje nuk ka ardhur nga politika, por ka ardhur nga interesat e bizneseve të konsumit, sidomos ato të tregut shqiptar.  Nga ana tjetër, vetë eksportet shqiptare drejt Kinës, pa pritur të nxiten nga institucionet, kanë filluar të eksportojnë ato që janë prodhime të industrisë së metaleve dhe të ndërtimit. Sipërmarrjet shqiptare eksportojnë deri diku edhe prodhime ushqimore.

Po ashtu, ne jemi një vend partner me Kinën për burimet natyrore të rëndësishme që ne kemi, naftën dhe kromin. Duke qenë se Kina është pikërisht vendi që e ka në filozofinë e vet të biznesit, që të lidhë partneritet me ato vende që kanë burime natyrore, me qëllim që të lehtësojë kostot e saj, ne të gjithë e dimë që lëndët djegëse janë defiçitare dhe industria i kërkon ato në rritje.

Ajo çfarë duhet bërë, për të zgjeruar depërtimin e mallrave shqiptare në tregun kinez, është që këto prodhime të rriten si vlerë, pra të kalojnë në nivel përpunimi, në nivel më të lartë, me qëllim që edhe Shqipëria të jetë e përfituar.

Edhe prodhimet tona bujqësore do të ishin me përfitim të eskportoheshin, nëse do të kishim një paketim të duhur të mallit, në mënyrë që të ishte i shitshëm në tregjet e huaja.

CMG: Duke parë gatishmërinë e palës kineze, si autoriteteve shtetërore dhe kompanive private, për të mikpritur eksportuesit tanë dhe për të shtuar tregtinë me Shqipërinë, si munden dhomat e tregtisë dhe industrisë dhe shoqatat e tjera të biznesit të ndihmojnë kompanite shqiptare të interesuara, për një pjesmarrje të suksesshme të eksportuesve tanë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës në Shangai?

Eduard Gjokutaj: Besoj se organizimi i gjithë asaj çfarë mund të quhet marrëdhënie tregtare me Kinën, bëhet në kushtet e lehtësive fiskale. Natyrshëm që kjo bëhet nëpërmjet dhomave të tregtisë dhe industrisë, të cilat janë ato që i përfaqësojnë të gjitha organizatat e biznesit. Natyrshëm që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, si dhe ato të disa rajoneve shqiptare, kanë bërë përpjekjet e tyre për të qenë aktore nëpër këto ekspozita.

Nga ana tjetër, partneri i tyre duhet të ishte edhe Agjensia e Nxitjes së Investimeve, AIDA. Ajo përfaqëson institucionin shtetëror që merret me interesat e prodhimit dhe eksportit.

Do të thoja që Shqipërisë i mungon në vetvete një agjensi e mirëfilltë eksporti, e cila do të konkretizonte interesat dhe pritshmëritë e të gjithë eksportuesve, me qëllim që prania e tyre në panaire të tilla kaq të rëndëssishme të ishte e stabilizuar.

Vendet e tjera në rajonin tonë kanë agjensi të tilla, pasi kanë prodhim. Prodhimi tek ne lë shumë për të dëshiruar, pasi i është mëshuar më shumë infrastrukturës, në vend që ekonomia jonë të ishte diversifikuar.

Dhe natyrshëm, interesi më i madh do të ishte që atë që ne po e marrim sot nga Europa, por me kosto të lartë, sidomos, përsa i përket prodhimeve bujqësore, në mënyrë që Shqipëria të mbetet konkurruese në këto prodhime, ne duhet të kalojmë në nivel përpunimi dhe standartizimi, të tillë që bujqësia jonë dhe produktet e saj të kenë frymëmarrje dhe të dalin përtej tregut shqiptar, përse jo edhe në Kinë.