Ministri Malaj: Buxheti 2025 përmbush objektivat e rritjes ekonomike dhe konsolidimit fiskal
2024-11-05 16:18:48

Ministri Malaj (Foto Panorama)

Ministri Malaj (Foto Panorama)

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka deklaruar se buxheti i vitit 2025 përmbush dy objektiva themelore, rritjen e qëndrueshme ekomomike të vendit si dhe konsolidimin fiskal, shkruan “Panorama”.

Gjatë fjalës së mbajtur në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ministri Malaj tha se ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë të fortë pas një sërë goditjesh përgjatë tre viteve të fundit, duke nisur me tërmetin e vitit 2019, Covid-19 e më pas dhe ndërprerja e furnizimit prej konfliktit Rusi-Ukrainë.

Ai theksoi se sot ekonomia shqiptare vijon në një trend pozitiv dhe produkti i brendshëm bruto është rritur me 3.9% në tremujorin e parë, më pas me 4.1% në tremujorin e dytë, krahasuar më periudhat përkatëse në vitin e kaluar.

Ministri Malaj renditi shërbimet dhe ndërtimin si dy sektorët më me ndikim në rritjen ekonomike të vendit.