
Foto nga Xinhua
Kryeministri kinez Li Qiang theksoi të hënën që Kina do t'i hapë më shumë dyert e saj për botën e jashtme, sido që të ndryshojë mjedisi ndërkombëtar.
Li i tha këto në një takim me disa ekspozues e blerës që po marrin pjesë në Ekspozitën e 7-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE), si "Synopsys", "General Electric", MSD dhe Grupi FAW i Kinës.
Përfaqësuesit e ndërmarrjeve me investime të huaja në këtë takim shprehën optimizëm te tregu kinez, duke theksuar se këto ndërmarrje do të thellojnë praninë dhe do të shtojnë investimet në Kinë.
Edhe pse ekonomia globale po mëkëmbet ngadalë, Kina në përgjithësi ka ruajtur një gjendje të qëndrueshme ekonomike, tha Li, duke theksuar që tregu kinez vijon të jetë një ndër zgjedhjet më të mira për ndërmarrjet globale.
Kina do të vazhdojë lehtësimin e hyrjes në treg dhe do të nxisë zgjerimin e rregullt të hapjes në sektorë si telekomunikacioni, arsimi, kultura dhe kujdesi mjekësor, theksoi kreu i qeverisë kineze.
Ai u zotua për vazhdimin e përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe krijimin e mundësive të barabarta në fusha si faktorët e prodhimit, licensimi i kualifikimit dhe pjesëmarrja në prokurimet qeveritare.
Li shprehu shpresën që Kina do të bëhet jo vetëm një destinacion eksporti për ndërmarrjet e huaja, por edhe një vend për investime e sipërmarrje, duke mundësuar lidhje më të ngushta mes tregut kinez dhe tregut global.
Ai pret edhe që sipërmarrësit kinezë e të huaj të vijojnë të mbështesin globalizimin ekonomik, të punojnë bashkë për të promovuar zhvillimin teknologjik e përparimin industrial dhe të krijojnë shtysa të reja rritjeje për ekonominë botërore.(Jiang Lei)
