Foto nga VCG
Spanja dërgoi rreth 5000 ushtarë gjatë fundjavës për të ndihmuar në shpërndarjen e ushqimit dhe ujit, pastrimin e rrugëve dhe mbrojtjen kundër grabitësve.
Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, deklaroi se rreth 2500 ushtarë të tjerë do të angazhohen në zonat e prekura nga përmbytjet katastrofike, që shkaktuan vdekjen e të paktën 217 personave, citon “ATSH” mediet lolale.
Një anije luftarake me 104 ushtarë të këmbësorisë detare, si dhe kamionë me ushqim dhe ujë iu afrua portit të Valencias, edhe pse një stuhi e fortë breshëri goditi Barcelonën rreth 300 kilometra në veri.
Një alarm nga autoritetet rajonale paralajmëroi për rrëshqitje të mundshme dheu dhe përmbytje të tjera.
Operatori i aeroportit “AENA” bëri të ditur se rreth 50 fluturime nga aeroporti pjesërisht i përmbytur “El Prat” i Barcelonës ishin anuluar. Disa shërbime lokale të trenave ishin pezulluar gjithashtu.
Vdekjet nga përmbytjet më të këqija në historinë moderne të Spanjës arritën në 217 të dielën, pothuajse të gjitha në rajonin e Valencias dhe më shumë se 60 në periferi të Paiportas.
Ekipet e shpëtimit kontrolluan parkingjet dhe grykat e lumenjve ku rrymat mund të kishin depozituar më shumë trupa.
Vendasit kritikuan alarmet e vonuara nga autoritetet në lidhje me rreziqet dhe një reagim të vonuar të perceptuar nga Shërbimet e Urgjencës.