UNRWA (Foto Balkanweb)
Izraeli ka informuar zyrtarisht Kombet e Bashkuara për përfundimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me agjencinë kryesore të OKB-së që ndihmon palestinezët në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Gazën e shkatërruar nga lufta, njofton “ATSH”.
Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, deklaroi në një postim në “X” se vendi i tij njoftoi zyrtarisht sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për ndërprerjen e bashkëpunimit me UNRWA-në.
“Pavarësisht provave dërrmuese që i paraqitëm OKB-së që vërtetojnë infiltrimin e Hamasit në UNRWA, OKB-ja nuk bëri asgjë për të korrigjuar situatën. Shteti i Izraelit do të vazhdojë të bashkëpunojë me organizatat humanitare, por jo me organizatat që promovojnë terrorizmin kundër nesh”,- tha Danon.
Më 28 tetor, Parlamenti izraelit votoi për të ndaluar UNRWA-në, ofruesi kryesor i ndihmës humanitare në Rripin e Gazës. Legjislacioni do të hyjë në fuqi pas një periudhe tremujore.
Izraeli e akuzon agjencinë se është infiltruar nga organizata militante palestineze Hamas dhe se disa punonjës të UNRWA-së ishin të përfshirë në sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, të cilat shkaktuan konfliktin në Gaza.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së lëshoi më herët një deklaratë unanime duke bërë të ditur se çdo ndërprerje ose pezullim i punës së UNRWA-së do të kishte pasoja të rënda humanitare për miliona refugjatë palestinezë.