Ermanda Durmishi duke kenduar (Foto personale)
Ermanda Durmishi gjate nje performance ne skene (Foto personale)
Ermanda Durmishi me moderatoren e njohur Silvana Brace (Foto personale)
Ermanda Durmishi është një artiste nga qyteti i Korçës. Duke patur pasion këngën është aktivizuar në Radio “Korça” dhe më pas në festivalet e fëmijëve, duke vazhduar studimet në lice për kanto dhe Akademinë e Arteve. Në vitin 1990 merr pjesë në festivalin kombëtar të RTSH-së me këngën “Mësues dhe shokë”. Ajo ka realizuar disa albume muzikore si dhe ka marrë pjesë në mjaft koncerte brenda dhe jashtë vendit. Njohja me bashkëshortin në Shqipëri bëri që Ermanda të largohej përfundimisht nga vendlindja në SHBA. Ajo jeton në kontinentin e largët bashkë me bashkëshortin dhe vajzat e saj. Në SHBA ka kryer studime të tjera, dhe aktualisht punon si mësuese në cilkin e ulët. Në një intervistë për Radio Ejani këngëtarja Ermanda Durmishi tregon për larimin nga Shqipëria, integrimin në një vend të huaj dhe mallin për vendlindjen.
CMG: Ke interpretuar në disa zhanre muzikore, por që ke lindur në vendin e serenatave. Janë ato pjesë e repertorit tuaj dhe tani që jeton larg vendlindjes?
Ermanda Durmishi: Serenata është ushqim i shpirtit dhe është e pamundur që një këngëtare ta ndash nga serenatat kudo që të jetë, dhe në fund të botës. Patjetër që ato janë pjesë e repertorit tim dhe të jetës time.
CMG: Ke nostalgji për kohën kur interpretoje para publikut në Shqipëri?
Ermanda Durmishi: Kam nostalgji të madhe dhe më mungon publiku shqiptar, ngrohtësia dhe duartrokitjet, më mungon shumë populli im.
CMG: Prej vitesh jeton në emigracion në SHBA. Cila ishte arsyeja e largimit nga Shqipëria dhe si u integrove në një vend të huaj?
Ermanda Durmishi: Arsyeja e largimit tim është se takova bashkëshortin tim në Shqipëri, ramë në dashuri dhe ai më propozoi fejesën. Erdhi për herën e dytë dhe të tretën dhe më në fund u fejuam. Kështu që organizuam dasmën, u martuam dhe këtu krijuam familjen. Kjo është arsyeja e largimit tim nga Shqipria, sepse nuk do ta kisha ndërruar Shqipërinë me asgjë. Përsa i përket integrimit tim në një kontinent tjetër, nuk është e lehtë sepse i ka valët lart e poshtë. Ka momente që ti vërtetë kërkon të shkosh mbrapsht në vendin tënd dhe ta ndjesh atë ngrohtësi, por ka dhe momente që kur shikon se ke familjen, vajzat dhe bashëkshortin, pra ke gjithçka që ke ëndërruar.
CMG: Merresh me muzikë në SHBA?
Ermanda Durmishi: Merrem shumë rrallë sepse unë jetoj larg nga komuniteti shqiptar. Bashkëatdhetarët në SHBA janë shumë organizojnë aktivitete të ndryshme. Kam pasur oferta nga i gjithë komuniteti shqiptar në SHBA, por për mua është dy-tre orë larg. Jeta ime këtu është aq e zënë me punë, shkollë dhe familje sa është e pamundur të marr pjesë në të gjitha koncertet që zhvillohen.
CMG: Vjen shpesh në Shqipëri dhe për çfarë të merr malli më shumë për vendlindjen tani që jeton larg?
Ermanda Durmishi: Në Shqipëri vij rrallë, kam katër vjet që nuk kam ardhur. Shpresoj të vij këtë vit, se kur erdha herën e fundit isha me vajzat dhe bashkëshortin. Vajzat vinin për herë të parë në Shqipëri dhe e pëlqyen jashtë mase, kërkuan ta shtojmë kohën e qëndrimit. Arsyeja që vijmë në Shqipëri është se mua më mungojnë dhe gurët e sokakut, të mungon dhe një komshije. Gjithçka më mungon nga Shqipëria.
Ermanda Durmishi gjate diplomimit ne SHBA (Foto personale)
Ermanda Durmishi me vajzat (Foto personale)
CMG: Vajzat tuaja flasin shqip?
Ermanda Durmishi: Të dyja vajzat flasin shqip, sidomos vjaza e madhe e zotëron shqipen shumë mirë. Ndërsa vajza e vogël e kupton gjuhën shqipe, por e ka të vështirë ta flasë.
CMG: Talentin në muzikë e kanë trashëguar nga ti vajzat?
Ermanda Durmishi: Të dyja vajzat kanë pasion muzikën. Unë ju kam blerë piano dhe janë aktivizuar në orkestrën e e shkollës. Ato tani i janë dedikuar më shumë sportit dhe e lanë muzikën. Unë i le vajzat të lira, që të provojnë gjithçka në jetë dhe të qëndrojnë aty ku e ndjejnë veten të lumtur e të rehatshme.
CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në SHBA?
Ermanda Durmishi: Komuniteti shqiptar në SHBA është mjaft i organizuar, mbidhen së bashku për të festuar festën e Flamurit, të Vitit të Ri dhe festën e nënave. Këtu organizohen për festat tona koncerte të admirushme me pjesëmarrje të madhe, sepse të gjithë festojnë me gjithë famijen. Unë jam pak larg, sepse do të doja të merrja pjesë në të gjitha koncertet.
CMG: Të mungon Korça, qyteti i lindjes?
Ermanda Durmishi: Patjetër që më mungon, sepse Korça është diamant në mes të Shqipërisë. Korça është qyteti i pazëvendësuseshëm për zemrën time, dhe besoj për të gjithë korçarët.
CMG: Flasim për arritjet tuaj profesionale në SHBA gjatë këtyre viteve?
Ermanda Durmishi: Gjatë kohës që kam qenë në SHBA kam mbaruar studimet e larta. Unë e kam mbaruar shkollën në Shqipëri, por këtu fillova nga fillimi dhe mbarova studimet e larta në anglisht me medalje ari. Ndërkohë tani mbaroj Bachelorin e dytë për mësuesi. Gjithashtu punoj mësuese me kohë të plotë, kam dhënë mësim në të gjithë rajonin ku jetoj, që nga fillorja deri në klasën e dymbëdhjetë. Kam dhënë lëndët e shkencave të natyrës dhe matematikë, kjo lëndë është pasioni im. Matematika është lënda më e admirueshme për mua dhe familjen time. Ndërkohë që tani kam qëndruar në klasën e tretë me të vegjlit, sepse mosha e tyre ka më shumë nevojë për kujdes sesa të rriturit.
CMG: Si ka qenë për ty eksperienca si mësuese në SHBA?
Ermanda Durmishi: Është kënaqësi kur të jepet mundësia të krijosh marrëdhënie me fëmijët, për t’i bërë fëmijët të qeshin e të jenë të lumtur për të mësuar. Ne nga natyra jemi të ngrohtë si komb, jemi të shoqërueshëm dhe miqësor. Unë jam si nënë e dytë për nxënësit, po ashtu dhe mësuese. Ne shpenzojmë tetë orë në ditë bashkë në klasë dhe u them nxënësve që ne këtu jemi familje e vogël. Ata bëhen më të mirë nëse ti arrin që t’ja fitosh zemrën. Kur fëmija është i lumtur, jep më të mirën nga vetja.
CMG: Cilat janë projektet tuaj muzikore në vazhdim?
Ermanda Durmishi: Unë kam realizuar 13 këngë të reja, që janë akoma në sirtar dhe nuk i kam bërë publike.
Intervistoi: Gazmend Agaj