Deklarimi real i pagave dhe ndikimi direkt tek pensionet
2024-11-04 10:09:16

Inteligjenca artificiale (Foto Business Magazine Albania)

Qeveria shqiptare  vijon fushatën kundër informalitetit në deklarimin e pagave, duke i bërë thirrje bizneseve  se duhet të eliminohet informaliteti dhe puna e padeklaruar. Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja tha se do të kemi teknologji e platforma, për të luftuar fenomenin e informalitetit. Sipas të dhënave nga 10 mijë inspektime në vit 63% subjekte  kanë rezultuar në shkelje.

“Jemi këtu për shqetësimin madhor, që ka lidhje me të gjithë aspektet e zhvillimit, të rritjes ekonomike dhe të mirëqenies për të gjithë, që është informaliteti dhe puna e padeklaruar. Eshtë me një rëndësi të jashtëzakonshme të garantojmë që çdo punëdhënës të ndërgjegjësohet dhe të paguajë kontributet dhe t’i japë atë që i takon çdo punëmarrësi aq sa janë dakordësuar, aq sa është puna ligjërisht. Për të dhënat tona dhe këtu flas për inspektoratin e punës që është nën MEKI-n, vërtetojnë se realizojnë mesatarisht 10 mijë inspektime në vit. Kjo vërteton se kemi gjetur 63% të subjekteve që kanë rezultuar në shkelje me elemente të informalitetit gri, siç janë mosdeklarimi i pagës, mungesa e kontratës, moskalimi i pagës në sistemin bankar, përllogaritje e pasaktë e pagës apo turneve, sidomos turnet e dyta dhe të treta, për punonjësit.” – u shpreh Gonxhja.

Kjo shifër e punëmarrësve informalë, sipas ministrit ka ardhur në rritje.

Ministri i ekonomisë Blendi Gonxhja (Foto Shqiptarja.com)

“Punëmarrësit informalë gjatë proceseve inspektuese rezultojnë me rritje, madje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë në masën 29%. Kemi një rritje të jashtëzakonshme të volumit tregtar, një rritje të jashtëzakonshme ekonomike në vend, kemi një rritje të turizmit, kemi rritje në përgjegjësitë e aktiviteteve, kështu që ka një tentativë në rritje për të përfituar në mënyrë të padrejtë nga mundësitë që jep tregu, i cili është në zhvillim e sipër dhe ofron më shumë mundësi edhe për bizneset. Janë 1984 punëmarrës informalë të futur në skemën e pagës formale, gjatë procesit inspektues edhe nëpërmjet masës së marrë nga ky inspektorat. Vetëm kjo ndërhyrje e inspektoratit ka bërë që të futen në arkën e sigurimeve shoqërore, rreth 3 milionë euro vetëm për kaq sa unë përmenda.”- shprehet Gonxhja.

Sa i takon inspektimeve në terren, ministri thotë se Shqipëria është zgjedhur si vendi për të pilotuar një  sistem për analizën e riskut, që është një sistem avangard i automatizuar, i cili bazohet në inteligjencën artificiale.

“Tashmë jemi në një epokë të re të inteligjencës artificiale të inovacionit, të nevojës së shteteve për të përshpejtuar gjithë ekzekutivin dhe gjithë monitorimin, kontrollin dhe masat për ligjshmërinë. Ndaj më vjen mirë të them dhe të ndaj me ju se sistemet novatore po bëjnë diferencën edhe në Shqipëri. Jemi në një fazë të pilotimit në Shqipëri me financimin e BE-së dhe me implementimin e ILO-s dhe ERCC të një sistemi novator, i cili është live prej janarit të këtij viti dhe bën të mundur që të na jape të dhëna të përpunuara përmes një algoritmi të ri dhe përmes një moduli të ri përmes një platforme që mundëson sistemin. Në takimin e Budvës, për ESAP 3 Shqipëria është zgjedhur si vendi për të pilotuar këtë sistem për analizën e riskut, që është një sistem avangard i automatizuar, i cili bazohet në inteligjencën  artificiale që nga data mining deri tek machine learning dhe që sjell live të dhëna të kryqëzuara me një rezultat shumë më të shpejtë dhe më efektiv sa i takon monitorimit dhe inspektimit.”- u shpreh ministri.

Sipas Gonxhes, qeveria po bën edhe reformën e duhur në fushën e inspektimeve.

Sistemi i pagave (Foto Albanian Construction Portal)

“Kjo na jep besim që do të kemi shumë shpejt teknologji, sisteme dhe platforma të cilat ne duhet të ndërveprojmë me të gjitha trupat e organeve të tjera ligjzbatuese. Ne duhet të kemi një qasje krejt tjetër proaktive dhe shumë herë me efektive ndaj këtij fenomeni. Po bëjmë përpjekje  edhe për reformën e duhur në fushën e inspektimeve, që do të na ndihmojë që këtë analizë me bazë risku ta kemi të ndërvepruar me shumë sektorë të tjerë në mënyrë që ne të kemi edhe inspektim, i cili të jetë jo i lodhshëm jo abuziv, në kuptimin e ndërhyrjes me shumë inspektorë, jo një inspektim muskujsh në terren, por një inspektim i cili muskujt i ka në zyra, sisteme dhe në kompjuter, ndërsa në terren ka masa dhe rezultate konkrete.”- tha Gonxhja.

Shqipëria do të pilotojë një sistem të ri analize, të bazuar në inteligjencën artificiale.