Turistë në Gjirokastër (Foto ATSH)
Gjirokastra mirëpret në çdo stinë të vitit turistë nga vendi dhe shtete të ndryshme të botës, shkruan ATSH. Kryebashkiaku Flamur Golemi i tha agjensisë se sezonin turistik të këtij viti në Gjirokastër është ndër më të suksesshmit në vitet e fundit.
Sipas tij këtë vit po regjistrohen mbi 400 mijë turistë, të cilët kanë vizituar qytetin dhe zonat rurale të bashkisë Gjirokastër. Ajo çka është e veçantë për Gjirokastrën është se rreth 70 % e turistëve janë vizitorë të huaj nga vende të ndryshme të botës, tha Golemi.
Kryebashkiaku i Gjirokastrës u shpreh se “zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm ka ndikuar pozitivisht në ekonominë lokale jo vetëm në bizneset me profil turistik, por në tërësi në aktivitetin ekonomik të rajonit jugor”. Ai tha se “tashmë në qytet dhe rrethinat numërohen rreth 250 hotele dhe bujtina karakteristike, të cilat ofrojnë kushte cilësore për akomodimin e vizitorëve”.
Gjatë këtij viti Gjirokastra ka qenë një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe më gjerë. Ajo po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.
