Rritet numri i të vdekurve në Spanjë (Foto ATSH)
Të paktën 211 persona janë raportuar të vdekur pas stuhive dhe përmbytjeve të së martës, shumica prej tyre në rajonin e Valencias, tha të shtunën në mbrëmje kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez pas një takimi për reagimin ndaj katastrofës, njofton ATSH.
Ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska tha më herët se ai pret që numri të vazhdojë të rritet ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kryejnë kërkime në zonat më të goditura.
Ekziston frika se shumë njerëz të tjerë do të gjenden të vdekur në makinat e rrëmbyera nga shirat që përmbytën qytetet dhe shkaktuan daljen e lumenjve nga shtrati në fillim të kësaj jave. Qeveria rajonale e Valencias ngriti një qendër koordinimi vullnetarësh të premten për të mbikëqyrur përpjekjet.
Sanchez tha se 10 000 policë dhe ushtarë shtesë do të ndihmonin në përshpejtimin e rimëkëmbjes dhe pastrimit të zonës së fatkeqësisë. Shumë fshatra janë të mbuluara me baltë, me makina, mobilje dhe sende të tjera shtëpiake të grumbulluara njëra mbi tjetrën nëpër rrugë. Sipas autoriteteve, furnizimi me energji në pjesën më të madhe të vendit tani është rikthyer.