
Vizita e pedagogëve e studentëve nga universitete të pjesës kontinantale të Kinës në Tajvan më 16 korrik, 2023 / foto VCG
Fondacioni i Kulturës dhe Edukimit "Ma Ying-jeou" me seli në Tajvan njoftoi të hënën se ka në plan të ftojë 40 pedagogë e studentë nga shtatë universitete të pjesës kontinentale të Kinës për të vizituar ishullin, pas një vizite të tillë të suksesshme në vitin 2023.
Vizita planifikohet të nisë më 27 nëntori dhe do të zgjatë për nëntë ditë e tetë net, tha drejtori ekzekutiv i fondacionit Hsiao Hsu-tsen në një konferencë shtypi, duke shtuar se fondacioni do të paraqesë aplikime tek autoritetet përkatëse dhe shpreson për miratim të shpejtë për të lehtësuar vizitën.
Studentët dhe pedagogët e pjesës kontinentale do të jenë nga Universiteti i Pekinit, Universiteti "Tsinghua", Universiteti "Fudan", Universiteti "Sun Yat-sen", Universiteti i Zhejiang-ut, Universiteti Pedagogjik i Fujian-it dhe Universiteti i Sporteve i Pekinit. Studentët do të përfshijnë kampionin olimpik të pingpongut Ma Long nga Universiteti i Sporteve i Pekinit dhe kampionen olimpike të qitjes Yang Qian nga Universiteti "Tsinghua", bëri të ditur Hsiao.
Ata do të vizitojnë gjashtë universitete në Tajvan, duke përfshirë Universitetin e Tajvanit, Universitetin "Tsing Hua" në Hsinchu, Universitetin "Chengchi", Universitetin "Yang Ming Chiao Tung", Universitetin e Kulturës Kineze në Tajvan dhe Universitetin "Chang Gung", si dhe Shkollën e Mesme të Vajzave "Zhongshan" të Tajpeit, tha ai.

Liqeni Diell-Hënë / foto VCG
Itinerari do të përfshijë gjithashtu vizita në pika turistike, si Liqeni Diell-Hënë etj., në mënyrë që studentët nga pjesa kontinentale të kenë një njohje të thellë të historisë dhe bukurive natyrore të Tajvanit.
Kjo është vizita e dytë e tillë e planifikuar nga fondacioni. Në vitin 2023, pedagogë dhe studentë të pesë universiteteve nga pjesa kontinentale u pritën ngrohtësisht në mbarë Tajvanin, duke ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet ndërmjet dy brigjeve të ngushticës.
Në vitet 2023 dhe 2024, Ma Ying-jeou, ish-kryetar i Kuomintang-ut kinez, udhëhoqi gjithashtu grupe të rinjsh nga Tajvani në vizitat në pjesën kontinentale.

Vizita e studentëve nga universitete të Tajvanit të Kinës në Universitetin "Sun Yat-sen" më 14 prill 2024 / foto VCG
