Kina nxit rolin aktiv të Francës për arritjen e zgjidhjes tregtare mbi automjetet elektrike
2024-11-04 20:23:03

foto nga

foto nga Ministria e Tregtisë e Kinës

Ministri i Tregtisë i Kinës Wang Wentao i bëri thirrje Francës, si një vend anëtar kyç i Bashkimit Evropian (BE), të luajë një rol aktiv në nxitjen e Komisionit Evropian që të tregojë sinqeritet e të ecë në të njëjtin drejtim me palën kineze, për të siguruar një zgjidhje lidhur me hetimin antisubvencion të BE-së mbi automjetet elektrike kineze.

Sipas Ministrisë së Tregtisë të Kinës, Wang i tha këto gjatë një takimi të dielën në Shangai me znj. Sophie Primas, ministre e deleguar për Tregtinë e Jashtme dhe Shtetasit Francezë jashtë Vendit, pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme e Francës. Wang dhe Primas u takuan në prag të hapjes së Ekspozitës së 7-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE), e cila do të fillojë këtë javë.

Hetimi kundër subvencioneve i BE-së për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë ka penguar rëndë bashkëpunimin ndërmjet industrive të makinave të BE-së e Kinës dhe ky përbën një shqetësim të madh për qarqet industiale të të dyja palëve, tha Wang, duke vënë në dukje se ekipet teknike nga Kina dhe BE janë të angazhuara në një raund të dytë konsultimesh.

Wang përsëriti vendosmërinë e Kinës për t'i trajtuar fërkimet tregtare me BE-në nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve, në bazë të respektimit të fakteve e të rregullave të OBT-së.

Sipas tij, ndryshe nga hetimi antisubvencion i BE-së i nisur pa kërkesën e sektorit përkatës, hetimet e Kinës për ndreqjen e tregtisë kundrejt disa mallrave të BE-së, si brendi, mishi i derrit dhe bulmeti, filluan me kërkesën e qarqeve industriale vendase, në përputhje të plotë me rregullat e OBT-së dhe me ligjet e rregullat kineze.

Wang theksoi se Kina do të vazhdojë t'i trajtojë këto hetime në përputhje me ligjet e rregullat, do të mbrojë të drejtat e ligjshme të ndërmarrjeve nga vendet anëtare të BE-së, përfshirë Francën, dhe do t'i bazojë gjykimet e saj në prova e fakte.

Kina është e gatshme të punojë me Komisionin Evropian për të kërkuar një zgjidhje të duhur në këtë drejtim, shtoi ai.

Duke vënë në dukje se ky vit shënon 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë-Francë dhe që Franca do jetë përsëri vend i ftuar nderi në CIIE, kreu i dikasterit kinez të tregtisë tha se mbi 100 kompani franceze pritet të marrin pjesë në ekspozitë këtë vit, numri më i lartë në mes të vendeve të BE-së, duke theksuar interesin e fortë të kompanive franceze për tregun kinez.

foto nga Ministria e Tregtisë e Kinës

Primas pohoi angazhimin e vendosur të Francës për thellimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare me Kinën dhe shprehu kënaqësinë e saj që Franca do të jetë përsëri vend i ftuar nderi në ekspozitë sivjet.

Duke qenë se prodhimet bujqësore e ushqimore janë elemente jetike të tregtisë së Francës me Kinën, ajo përcolli shqetësimin e madh të palës franceze lidhur me hetimet e Kinës që synojnë produktet e BE-së, përfshirë brendin.

Franca nuk dëshiron të shohë përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve aktuale tregtare BE-Kinë dhe shpreson se të dyja palët do t'i zgjidhin mosmarrëveshjet tregtare nëpërmjet konsultimeve, theksoi Primas.