Rinisin operacionet nga Marina italiane, emigrantët e kapur do të dërgohen në Shqipëri
2024-11-03 10:34:28

Foto nga RTSH

Anija e Marinës italiane “Libra” pritet t’i rikthehet prej së hënës patrullimeve në ujërat e Lampeduzës. Emigrantët e shpëtuar në detin Mesdhe, pasi t’u nënshtrohen një kontrolli paraprak dhe pas seleksionit sipas kushteve të caktuara në bazë të legjislacionit italian, do të dërgohen në qendrat e pritjes në Shqipëri, citon “RTSH” mediet italiane.

Italia po provon sërish nisjen e operacionit të riatdhesimit të emigrantëve, 17 ditë pas mbërritjes së azilkërkuesve të parë në Shqipëri dhe 15 ditë pas kthimit të tyre drejt Italisë, kur me vendim gjykate ky proces u quajt i paligjshëm.

Në thelb, vendimi i Gjykatës së Romës vendosi se procedura e përshpejtuar nuk mund të zbatohet për emigrantët që vijnë nga vende të sigurta vetëm sipas Italisë dhe jo sipas legjislacionit europian. 

Qeveria italiane më 21 tetor miratoi një dekret ligjor për të rishikuar listën e vendeve të sigurta.  

Ndërkohë që qendrat në Shëngjin dhe Gjadër prej dy javësh kanë mbetur pa emigrantë, ato janë populluar me gati 300 punonjës, përkthyes, pastrues, staf mjekësor dhe infermieror, oficerë policie dhe të Policisë Financiare, si dhe karabinierë.