
Foto nga ATSH
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi të dhënat përfundimtare mbi censin 2023, sipas të cilit, popullsia banuese në Shqipëri rezulton në 2.402.113, prej të cilëve 49.6% janë meshkuj dhe 50.4% femra. Kjo shifër shënoi rënie prej 420 mijë banorë krahasuar me censin 2011, kur u numëruan 2.821.977 persona, shkruan “ATSH”.
Sipas të dhënave, rënia e popullsisë ndjek trendin e konstatuar prej vitit 1990, i cili vjen si fenomen i emigracionit.
Nga popullsia banuese gjithsej, 99.4% kanë shtetësi shqiptare, ndërsa 98.3% janë të lindur në Shqipëri. Midis atyre të lindur jashtë vendit, afërsisht gjysma, 46.2 % kishin lindur në Greqi dhe 16.6% në Itali. Nga të dhënat e censit u vlerësuan 108.503 emigrantë.
Përafërsisht, një e treta e popullsisë shqiptare, 31.6%, banon në qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri, me rreth 10%, ndjekur nga qarku i Elbasanit me 9.7% ndaj popullsisë gjithsej. Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2.6% dhe 2.5% të popullsisë respektive.
Në të gjitha qarqet, me përjashtim atë të Tiranës, popullsia ka ardhur në rënie përgjatë periudhës 2011-2023.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, numri gjithsej i njësive ekonomike dhe familjare është 755.950, një rritje me 4.7% krahasuar me censin 2011.
Përqindja e banesave të zakonshme të pabanuara është 32.9%.
