
Foto nga ATSH
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, vlerësoi rolin e shoqërisë civile në një shoqëri demokratike, ndërsa kërkoi bashkëpunim në kuadër të sfidave të përbashkëta që vijnë nga procesi i integrimit europian, shkruan “ATSH”.
Në një takim me organizatat e shoqërisë civile, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, Spiropali u ndal te rëndësia e bashkëpunimit mes Kuvendit dhe shoqërisë civile për përmirësimin e transparencës, si dhe pjesëmarrjes qytetare në proceset legjislative e mbikëqyrëse të integrimit europian.
Spiropali theksoi se aktivizimi në shoqërinë civile nuk është profesion, por është pasion dhe një sfidë për njerëz pasionantë që nuk presin të fitojnë, por janë gati të sakrifikojnë për bindje dhe ide për të ndryshuar dhe për t’u bërë pjesë e progresit.
Sipas saj, roli i Kuvendit në raport me shoqërinë civile duhet ridimensionuar dhe riformatuar, duke hequr dorë fillimisht nga formalizmi.
Spiropali garantoi se Kuvendi i Shqipërisë do të punojë për rritjen e produktivitetit dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile, që jo vetëm të ketë standarde ligjore dhe institucionale bashkëkohore, por edhe zbatim të tyre.
