Bruno i “Revolt Klan” tregon sekretet e suksesit të tij
2024-11-03 14:20:37


Bruno Revolt (Foto nga facebook)

Këngëtari nga Vlora Bruno Pollogati ka performuar me grupin "Revolt Klan" 19 vite më parë   në festivalet e këngës. Bashkë me këngëtarin tjetër të grupit Febin kanë realizuar  bashkëpunime me artistë shqiptarë e  të huaj. Ai ka studiuar për  baritone në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe kënga për të është jo vetëm pasion, por edhe profesion. Prej disa kohësh Bruno këndon edhe si solist dhe vitin e fundit ka publikuar mbi shtatë materiale të reja muzikore, ndër to bashkëpunime me emra të njohur të muzikës si Albërie Hatërgjonaj, Poni, Nora Istrefi, Valbona Mema, Luiz Ejlli, Lumi B, Yllka Kuqi e të tjerë. Në intervistë për Radio Ejani, ai rrëfen sekretin e suksesit të këtyre bashkëpunimeve, por edhe projektet  muzikore.

Bruno Revolt  në intervistë për Radio Ejani

CMG: Kjo verë ka qenë me këngë të reja, shumë koncerte, por dhe shumë bashkëpunime me emra të njohur. Mund të konsiderohet për ty ky vit, si më i suksesshmi?

Bruno: E vërtetë, ky vit ka qenë plot punë, plot sukses, çdo gjë që shihet në televizor ka një ngarkesë shumë të madhe, vështirësi, por e rëndësishme që publiku i ka pritur mirë. Për këtë u jam falenderues bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të mi. Kjo verë  më ka rikthyer pranë publikut si në vitet e mia të arta, kur isha në fillimet me grupin “Revolt Klan”. Më kishte marrë shumë malli që të kisha kaq shumë koncerte, dalje në publik. Unë e kam jetën të lidhur me artin, nuk e bëj për hobi, por vetëm kjo është puna ime dhe i jam përkushtuar vetëm kësaj pune. Studimet i kam kryer për muzikë dhe kam zgjedhur që të bëj këtë gjë me shumë pasion. Prandaj më kishte marrë malli për të patur këtë fluks pune, kam qenë edhe nëpër dasma i angazhuar dhe nuk jam lodhur.

CMG: Kur u shkëpute nga grupi, doje të  prezantoheshe si solist për disa kohë, por të gjitha këngët e tua janë me bashkëpunime.

Bruno: Këto gjëra kanë ndodhur rastësisht. E nis një punë vetëm, e më pas njeriu  nuk kënaqet asnjëherë. Sa herë shkoj në studio për të rigjistruar këngën, duke punuar, e kemi ndjerë të nevojshme me kompozitorin që t’i bënim disa bashkëpunime. Ka raste që një kënge i shkon vokali femëror, apo një zë tjetër. Kohët e fundit janë bërë edhe të modës bashkëpunimet, sidomos këto dy vitet e fundit. Realisht të gjitha kanë rezultuar të suksesshme.

Bruno Revolt (Foto nga facebook)

CMG: Cili ka qenë bashkëpunimi më i thjeshtë dhe ai më i vështiri, më i lodhshmi?

Bruno: Kur i tregon demon, materialin e pa përfunduar muzikor, ose të pëlqen ose s’të pëlqen. Nuk mund t’i japësh dikujt një material, kundra dëshirës së tij. Me çdo koleg që kam patur bashkëpunime kanë qenë shumë komodë.

CMG: Bëheni një ekip me autorët e këngës, duke analizuar se vokalit të kujt do i shkojë kënga, e më pas vendosni me cilin artist do bashkëpunoni?

Bruno : Në përgjithësi kështu funsionon. Kështu më ka ndodhur edhe me vëllezërit korçarë, që për mua ngelet një nga këngët më të bukura që kam në kanalin tim në youtube. Kur e dëgjova atë këngë ishte fiks për ata dhe bashkëpunimi me ta më shkoi shumë mirë.

CMG: Po ashtu edhe bashkëpunimi me Eli Farën, e cila i ka rezistuar kohës.

Bruno: Po edhe me Eli Farën kështu ka ndodhur. Ishim në makinë me grupin kur po ktheheshim nga një koncert në Pogradec apo në Korçë, ka qenë ora 2 pas mesnate. Kompozitori Enis Mullaj të cilin e kam mik, na nisi një demo, ku na tha: “Djema ju ka ardhur një mega hit”. E ndërsa e dëgjonim rrugës, na vinte si serenatë, e kishte atë bulzën e Korçës brenda, duke komentuar me mesazhe për këngën, njëri prej djemve shprehu idenë që kënga i shkon Eli Farës. Kur është një artist i mirë e me bagazh dhe e dëgjon një këngë të mirë, askush nuk mun t’i thotë “jo”. Kënga rezultoi vërtetë shumë e suksesshme dhe për ne ishte shumë fat.

Bruno Revolt dhe Alberie Hatërgjonaj (Foto nga facebook)

CMG: Kohët e fundit ke bërë shumë bashkëpunime, por cilën prej këtyre këngëve dëgjon dhe këndon  më së shumti gjatë ditës?

Bruno: Secila këngë ka bukurinë dhe veçantinë e vet, por për mua një nga këngët që më ka pëlqyer pak më shumë me atë stilin e vet ka qenë bashkëpunimi me këngëtaren Poni. Mendoj se jemi të parët që eksperimentuam me një bit modern gati regaton, me një vijë melodike popullore, si polifoni të jugut, është në ato ujra. Më ka pëlqyer shumë në mënyrën se si është sjellë. Patjetër që edhe këngët e tjera janë fantastike. Kënga me Albërien ka qenë shumë e bukur, sa unë mezi kam pritur që ta publikoja. Por edhe bashkëpunimet e tjetra me këngëtarët Valbona Mema, Luiz Ejlli, Lumi B, etj kanë qenë shumë natyrshëm, u pritën shumë mirë nga publiku dhe u bënë mjaft viralë në internet. Por kjo këngë ka veçantitë e veta.

CMG: Një vit më parë  ke qenë pjesë e” Big Brother Vip” në Kosovë. Në atë periudhë sapo publikove këngën me videoklip “M’ke mungu” me këngëtaren Nora Istrefi. A ka ndikuar kjo pjesëmarrje në suksesin tend, duke tërhequr ndoshta edhe atë publik që nuk të njihte?

Bruno: Patjetër që më ka shërbyer. Çdo spektakël, realiti shou apo emosion i tillë, të bën shumë punë, të marketon. Pastaj është fat që me tipin e me karakterin tim të arrija që të fitoja zemrat e publikut, e të bëhesha i dashur për ta. Fatmirësisht, kështu si më kanë bërë prindërit  dhe çfarë më ka dhuruar Zoti deri më sot, arrita që të shkoja deri në gjysmëfinale. Gjithashtu edhe falë publikut, të cilin e kam bërë për vete me çfarë unë jam dhe jap nga vetja ime, të cilët më kanë votuar. Kam një publik që më do fort në Kosovë pasi aty më parë nuk njihesha, por mu dha mundësia të njihem nëpërmjet këtij formati dhe i falenderoj shumë. Ndërsa këngët nuk kanë qenë të planifikuara. Me Nora Istrefin kishim rreth një vit që e kishim përgatitur si material, ndërsa ftesa për në “Big Brother Vip” më erdhi shumë rastësisht për të marrë pjesë në atë kompeticion.

Bruno Revolt dhe Poni ( (Foto nga youtube)

CMG: Fansat më të mëdhenj sot i ke në Kosovë apo në Shqipëri?

Bruno: Adhuruesit e muzikës time dhe që më duan fort për energjinë që ne japim, muzikës që ofrojmë, por qoftë edhe në kontakt me publikun, jam shumë i lumtur që të kem dëgjues shumë të mirë që më duan dhe më vlerësojnë për punën që bëj, por nuk mund t’i ndaj dot. Janë shumë të mirë të dy.

CMG: Vitin që vjen ju si grup “Revolt Klan” bëni 20 vite që nga periudha kur keni debutuar në skenë bashkë me Febin. A keni munduar që të sillni së bashku ndonjë material të ri, apo ndonjë koncert për këtë përvjetor?

Bruno: Projektet nuk kemi rreshtur së menduari dhe nuk kemi rreshtur ndonjëherë së hequri dorë. Për koncert recital mendoj se çdo artist do e donte dhe besoj se e ka ëndërr. Ende nuk ndjehem gati që të bëj një gjë të tillë, por mendoj se do e lodh veten për të bërë diçka, pasi janë 20 vite karrierë bashkë me kolegun tim Febin, pasi ne të dy kemi punuar për të arritur këtë sukses me të mirat dhe të këqiat tona, me gjithë sukseset dhe dështimet tona. Në një të ardhme patjetër që do e kemi një koncert recital, por nuk e dimë ende se kur do jetë, por le të shpresojmë së shpejti.

 CMG: Ti ke mbaruar Universitetin e  Arteve në Tiranë për bariton dhe përveç këngës jep mësim. Si është marrëdhënia jote me ta?

Bruno: Vazhdoj të jap mësim dhe vazhdoj ta rithem, se nuk ka gjë më ë bukur se të punosh me fëmijët. Nuk mund të them që është e lodhshme, por ndonjëherë e sikletshme sepse jo të gjithë janë të disiplinuar. Ka fëmijë që janë në kor dhe ata duan të kërcejnë e ma prishin disi grupin. Por më pëlqen, e ndjej veten shumë komod dhe nuk do hiqja ndonjëherë dorë nga fëmijët. Edhe nëse do të jem shumë i ngarkuar, do përqiqesha në kolegjin ku punoj, që ta ndaja një orar për të punuar me fëmijët, ata të japin një dashuri të madhe. Ndërsa ata rriten, nga ana tjetër rrit edhe veten me ta. Jep dashuri, merr dashuri, mëson të duash më shumë njerëzit . Nuk ka fëmijë të këqinj sepse ata nuk e  dallojnë kush është e mirë dhe kush është e keqja, por ka fëmijë çamarrokë, që bëjnë gabime. Kjo gjë na bën mrië edhe neve që të mësohemi të durojmë, të mësojmë si të sillemi me fëmijët, në këtë mënyrë rritemi. Unë vetë kur kam qenë i vogël kam qenë fëmijë i prapë dhe mësuesit na rrinin në kokë sikur t’i  kishim prindër.

Bruno Revolt gjatë koncerteve ( (Foto nga facebook)

CMG: Ke ndonjë fëmijë të talentuar që ka spikatur me talentin e tij, me të cilin ke punuar personalisht?

Bruno: Unë nuk bëj kurse private për shkak të angazhimeve të shumta që kam me koncertet, por angazhimi im me fëmijët është vetëm në shkollë. I angazhoj fëmijët në aktivitetet e shkollës, aty bëhet dhe aktrim, kemi bërë muzikal dhe i kam të gjithë fëmijët të talentuar.

CMG: Bruno, para se të vije në këtë intervistë, të shkëputa nga puna në studio. Edhe pse ke publikuar shumë materiale muzikore gjatë këtij viti, do të presim ndonjë këngë tjetër nga ty?

Bruno: Në fakt nuk do vijë një, por do vijnë 3-4 këngë të reja nga unë.

CMG: Do jenë bashkëpunime?

Bruno: Mund të jenë edhe bashkëpunime, por mund të vij edhe si solist, kjo nuk dihet ende, do ta shohim rrugës si na përfundon projekti. Ndoshta këtë vit e mbyll me dy këngë dhe nga janari dal me një tjetër projekt të ri muzikor.

CMG: Çfarë do shtoje së fundi?

Bruno: Do bëj më të mirën, për dëgjuesit tanë dhe për ata që më duan dhe më shoqërojnë në çdo moment. Si dhe nuk do rresht pa i falenderuar të gjithë publikun sepse pa ata, unë nuk do isha këtu ku jam. E falenderoj  vërtetë shumë publikun tim të gjerë.

Intervistoi: Sava Lena