Foto nga VCG
Donald Trump pretendon se e vetmja mënyrë për të humbur zgjedhjet presidenciale të së martës në SHBA është vjedhja e votave.
Është i njëjti pretendim që ai pati katër vjet më parë, kur presidenti i SHBA-së, Joe Biden e mundi atë në votime, megjithëse Trump dhe shumë nga mbështetësit e tij ende refuzojnë të pranojnë humbjen e tyre, shkruan “ATSH”.
“E vetmja gjë që mund të na ndalojë është mashtrimi”,- tha Trump nga Arizona, duke theksuar se ai ishte duke udhëhequr në secilin nga shtatë shtetet kryesore që do të vendosnin zgjedhjet.
Sipas disa medieve amerikane, mes votuesve që kanë hedhur tashmë votat e tyre, kandidarja demokrate për presidendete Kamala Harris ishte në krye të sondazheve.
Sondazhet e fundit kombëtare të atyre që kanë votuar tashmë i japin Harris një epërsi 19-29 pikë ndaj Trump. Këto shifra janë më të ulëta se ato të Biden gjatë zgjedhjeve të vitit 2020, kur më shumë votues amerikanë hodhën votat e tyre herët për shkak të koronavirusit, por më të larta se ato për Hillary Clinton në vitin 2016.