Foto nga MPJ
Kina është e gatshme të punojë me Sllovakinë për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga liderët e të dy vendeve dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe, u shpreh të premten ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.
Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i tha këto gjatë takimit me ministrin e Jashtëm dhe të Çështjeve Evropiane sllovake Juraj Blanar në Pekin.
Wang tha se marrëdhëniet e partneritetit strategjik Kinë-Sllovaki i japin një shtysë të fortë bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme dhe dërgojnë një sinjal pozitiv për botën.
Kina vlerëson politikën miqësore që ndjek ndaj saj Sllovakia dhe respektimin e parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera, tha Wang, duke vënë në dukje se të dy vendet kanë ide të ngjashme dhe mirëkuptim e respekt të ndërsjellë për interesat thelbësorë të njëra-tjetrës.
Duke vënë në dukje që Kina i ka parë dhe zhvilluar gjithmonë marrëdhëniet e saj me Sllovakinë nga një perspektivë afatgjatë dhe strategjike, Wang tha se pala kineze është e gatshme të punojë së bashku me palën sllovake për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga liderët e të dy vendeve.
Ndërsa Blanar u shpreh nga ana e tij se Sllovakia do të vazhdojë t'i përmbahet me vendosmëri politikës së një Kine dhe që krijimi i marrëdhënieve të partneritetit strategjik si një pikënisje të re do të nxitë zhvillimin më të madh të marrëdhënieve dypalëshe.
Sllovakia mbështet plotësisht konsensusin prej gjashtë pikash të propozuar nga Kina e Brazili për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë dhe është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të arritur paqen nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve, tha Blanar.
Të dy palët shprehën gatishmërinë për të shfrytëzuar plotësisht rolin e mekanizmit të bashkëpunimit ndërqeveritar nën drejtimin strategjik të liderëve të dy vendeve dhe ranë dakord të shfrytëzojnë mundësinë e politikës 15-ditore të Kinës për hyrjen pa viza për qytetarët sllovakë për të thelluar shkëmbimet miqësore mes dy vendeve.
Ata shkëmbyen mendime edhe për marrëdhëniet kino-evropiane. Kina dhe Evropa janë partnerë, jo rivalë, tha Wang, duke shprehur shpresën që Evropa të ndjekë një qëndrim objektiv e racional ndaj Kinës dhe të punojë së bashku me Kinën për zhvillimin e qëndrueshëm e të shëndetshëm të marrëdhënieve kino-evropiane. (Çang Çuo)