Foto nga Xinhua
Zyrtari i lartë kinez Li Xi u takua me udhëheqësit italianë këtë javë, duke diskutuar për thellimin e marrëdhënieve strategjike, teksa sivjet është 20-vjetori i marrëdhënieve të partneritetit gjithanshëm strategjik Kinë-Itali dhe të dy palët kanë thelluar bashkëpunimin në fusha të tilla si energjia e gjelbër dhe teknologjia digjitale.
Gjatë vizitës së tij në Romë nga e mërkura deri të shtunën me ftesë të Senatit italian, Li, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe sekretar i Komisionit Qendror për Kontrollin e Disiplinës të PKK-së, u takua me kryetarin e Senatit të Italisë Ignazio la Russa dhe zëvendëskryeministrin e ministrin e Jashtëm Antonio Tajani.
Gjatë takimeve, Li theksoi marrëdhëniet e qëndrueshme midis Kinës e Italisë dhe u bëri thirrje të dyja palëve të zbatojnë konsensusin e arritur nga presidenti kinez Xi Jinping dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në korrik.
Li përmendi bashkëpunimin nëpërmjet "Planit të Veprimit Kinë-Itali", i cili synon forcimin e besimit politik e të bashkëpunimit si në sektorët ekzistues, ashtu edhe në ata në zhvillim, si energjia e gjelbër, ekonomia digjitale dhe inteligjenca artificiale. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e nxitjes së shkëmbimeve kulturore dhe bashkërendimit të përpjekjeve në platformat shumëpalëshe, duke përfshirë OKB-në e G20-n, për të ngritur nivelin e marrëdhënieve Kinë-Itali.
Kina dhe Evropa ndajnë një gamë të gjerë interesash të përbashkët në mbështetjen e multilateralizmit, trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe promovimin e rimëkëmbjes ekonomike globale, tha Li, duke shtuar që Kina promovon zgjidhjen e çështjeve ekonomike e tregtare nëpërmjet konsultimeve të bazuara në parimet e pragmatizmit dhe balancës.
Ai i kërkoi palës italiane t’i shikojë marrëdhëniet ekonomike e tregtare Kinë-Evropë "me një qëndrim të hapur dhe nga një perspektivë afatgjatë" dhe të luajë një rol konstruktiv në konsultimet ndërmjet Kinës dhe Evropës.
Kina është e gatshme të punojë me Italinë dhe vendet e tjera evropiane për të promovuar zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-Evropë, vuri në dukje ai.
Foto nga Xinhua
La Russa vlerësoi lart miqësinë historike midis Italisë dhe Kinës dhe arritjet e PKK-së në zhvillimin e saj dhe modernizimin e Kinës. Ai pohoi gatishmërinë e Italisë për të shtuar shkëmbimet ndërmjet organeve legjislative dhe partive politike.
Nga ana e tij, Tajani theksoi rolin e Kinës si një partnere e rëndësishme ekonomike e Italisë, duke vënë në dukje se pala italiane shpreson të forcojë shkëmbimet ekonomike e tregtare me palën kineze, duke nxitur një marrëdhënie të ekuilibruar dhe me leverdi reciproke. Ai përsëriti angazhimin e Italisë për politika të hapura ekonomike dhe për të punuar në mënyrë aktive për zgjidhjen e mosmarrëveshjes tregtare ndërmjet Evropës dhe Kinës me anë të bisedimeve.
Italia është e gatshme gjithashtu të punojë me Kinën për të promovuar paqen dhe qëndrueshmërinë globale në rrethanat e sfidave të sotme, vuri në dukje kryediplomati Tajani. (Çang Çuo)