Karçanaj: Shqipëria transpozon legjislacionin e BE-së përmes inteligjencës artificiale
2024-11-02 11:02:27

Foto nga ATSH

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj, mori pjesë në takimin e Bordit të Rishikimit të të Dhënave dhe Inteligjencës Artificiale (DARB) në Washington, ku u diskutua për mbrojtjen kibernetike dhe sigurinë kibernetike, shkruan “ATSH”.

Karçanaj theksoi se 2024-a ka qenë një vit i veçantë për Shqipërinë, duke shënuar avancimin teknologjik dhe progresin më të lartë në fushën e inteligjencës artificiale.

“Kemi hedhur baza të forta për përdorimin e përgjegjshëm dhe efektiv të inteligjencës artificiale në Shqipëri, duke u bërë një model për vendet e tjera. Po përdorim inteligjencën artificiale në procesin e transpozimit të legjislacionit të BE-së, një zgjidhje që mund të shërbejë si model për vendet që aspirojnë integrimin europian”, theksoi Karçanaj.

Po ashtu, drejtoresha e AKSHI-t nënvizoi se Shqipëria është në një fazë të avancuar të hartimit të Strategjisë Kombëtare të Inteligjencës Artificiale, e cila do të vendosë një kuadër gjithëpërfshirës për zhvillimin e kësaj teknologjie në vend.

Ajo shprehu përkushtimin e Shqipërisë për të përmirësuar strategjitë e inteligjencës artificiale dhe për të siguruar që teknologjitë moderne të shërbejnë për përmirësimin dhe forcimin e vazhdueshëm të partneritetit mes Aleancës.