Gentjan Gropa, këngëtari nga Dukagjini që ruan traditën e këngës folklorike
2024-11-02 14:02:32


Gentjan Gropa duke performuar ne festen e Thethit 

Gentjan Gropa është një këngëtar i ri nga Dukagjini, i cili prej vitesh lëvron muzikën popullore dhe atë folklorike. Ai muzikën e ka trashëguar nga familja dhe vazhdon ta ruajë këtë traditë. Gentjani luan në disa instrumenta popullore të trevës së veriut, si çifteli, sharki dhe lahutë. Ka publikuar në kanalin e tij personal YouTube mjaft materiale muzikore, këngë solistike dhe duete, të cilat janë pritur mjaft mirë nga artdashësi. Gjithashtu ai ka marrë pjesë në disa aktivitete muzikore branda dhe jashtë vendit. Gentjani ka performuar në skenëne Festivalit Folklorik të Gjirokastrës bashkë me grupin popullor të Dukagjinit.  Në një intervistë për Radio Ejani Gentjan Gropa tregon për fillimet e tij muzikore, aktivitetet dhe projektet në vazhdim.   

Gentjan Gropa duke luajtur me isntrument popullor 

CMG: Si lindi pasioni për muzikën popullore dhe atë folklorike?

Gentjan Gropa: Unë që në moshën 15 vjeçare kam ndjekur muzikën folklorike dhe këngën popullore të veriut më shumë. Gjithashtu këtë traditë e kam të trashëguar nga familjarët e mi.

CMG: Cili nga familjarët tuaj ka lëvruar muzikën folklorike?

Gentjan Gropa: Këtë traditë e kam trashëguar nga daja, gjyshi dhe xhaxhallarët e mi, që e kanë interpretuar këngën folklorike dhe kanë luajtur në instrumente të ndryshme popullore. Kështu  më lindi dhe mua pasioni për këtë zhanër muzikor.

CMG: Ti vetë luan në ndonjë instrument popullor?

Gentjan Gropa: Unë luaj në disa instrumenta popullore, si çifteli, sharki dhe lahutë që e përdor më shumë Kosova, por tek ne ka hyrë pak më vonë, që quhet prim. Notat i ka si sharkia, por nga përmasat është pak më e vogël dhe më ka lindur dëshira për ta mësuar këtë instrument popullor.

CMG: Cila ka qenë kënga e parë që ke publikuar dhe si është pritur nga publiku?

Gentjan Gropa: Kur kam dalë për herë të parë në skenë kam realizuar një këngë folklorike me kolegun tim Bledar Hysenaj, të cilin e përshëndes. Kemi bërë këngën “S’ka si sofra e Dukagjinit”, duke promovuar traditat tona, sofrën dhe mikpritjen tonë, që e kanë trashëguar të parët tanë dhe ne vazhdojmë t’i trashëgojmë. Ky ka qenë projekti i parë që kemi dalë në skenë së bashku. Kjo këngë u prit shumë mirë nga publiku dhe nga njerëzit tanë nga malësia.

Gentjan Gropa me grupin folklorik

CMG: Sa materiale muzikore ke të publikuara në kanalin YouTube, a je i kënaqur me ecurinë e tyre?

Gentjan Gropa: Unë prej dy vitesh kam hapur kanalin timin personal në YouTube, dhe postoj këngët e mia aty. Kam gati 12 këngë të publikuara, jam munduar të jap maksimumin për t’i realizuar mirë këngët. Materialet muzikore kanë patur reagime të mira nga publiku. Gjithashtu dhe klikimet kanë qenë të shumta. Jam i kënaqur me ecurinë e tyre, dhe pse fillimi është pak i vështirë, por fillimi i mbarë është gjysma e punës. Kam realizuar dhe një këngë për personin më të rëndëshishëm në jetën time dhe gjithë atyre që e ndjejnë, një këngë për nënën. Kjo këngë nuk është vetëm për nënën time, por për të gjithë nënat e Shqipërisë dhe botës. Kjo është vërtetë një këngë që ja vlen ta dëgjojnë të gjithë, sepse çdokush e gjen veten aty.

CMG: Ke bërë bashkëpunime me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?

Gentjan Gropa: Kam bashkëpunuar me këngëtaren e mirënjohur Luiza Reka, të cilën e përshëndes. Kemi bërë një duet së bashku, që titullohet “Kush guxon, fiton”, ka një kuptim shumë të mirë, që kush është guximtar në këtë jetë fiton shumë gjëra. Tekstshkruesi është Pjetër Kola dhe orkestruesi Mario Marku. Të gjithë bashkë kemi bërë një material shumë të bukur muzikor, i cili është pritur shumë mirë nga publiku.

Gentjan Gropa me grupin popullor

CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e produksioneve muzikore?

Gentjan Gropa: Fillimisht kam bashkëpunuar me artistin e mirënjohur nga Dukagjini i Shkodrës, Fran Kodra i cili kompozon këngë, shkruan tekste dhe është shumë i mirë. Gjithashtu Pjetër Kola, Lulash Brigja, e të tjerë na kanë ndihmuar për tesktet dhe muzikën e këngëve.

CMG: Si je ndjerë kur ke veshur kostumin popullor tradicional?

Gentjan Gropa: Unë në momentin që vesh kostumin popullor të krahinës time, vjen një ndjesi shumë ndryshe. Mua më duket sikur më kënaq veshja popullore, sepse e kanë veshur të parët tanë dhe ndjehem mirë kur e trashëgojmë dhe ne.

CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet muzikore ku ke marrë pjesë?

Gentjan Gropa: Ky sezon ka qenë shumë i mirë. Na kanë ftuar në dasma, duke na pritur shumë mirë. Unë kam grupin tim muzikor dhe besoj se çdo vit do të jetë më mirë. Përpiqem të jap maksimumin që dhe publiku të mbetet i kënaqur. Gjithashtu kam patur ftesa dhe kërkesa në gëzimet familjare dhe organizime të ndryshme. Kam qenë i ftuar dhe jashtë vendit, në koncerte në Itali, Gjermani, Kosovë dhe vende të tjera. Vitin e kaluar isha pjesëmarrës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës me grupin e Dukagjinit.

Gentjan Gropa me kengetarin Zef Beka

CMG: Mendon se brezi i ri e pëlqen muzikën popullore dhe atë folklorike?

Gentjan Gropa: Mendoj se nuk e pëlqen si më përpara, sepse ka hyrë trendi i ri i muzikës moderne. Ne mundohemi që ta trashëgojmë të brezi i ri këtë traditë të muzikës popullore dhe folklorike.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?

Gentjan Gropa: Unë kam bërë një projekt me kolegun tim nga Dukagjini Noel Pjetri dhe Viola Shqahu nga Shllaku. Kemi realizuar një kolazh popullor të tre së bashku, të cilin publiku e ka pritur shumë mirë. Gjithashtu kam mjaft projekte në vazhdim, kam menduar të realizoj dhe një këngë për vendlindjen time Thethin, i cili është shumë i vizituar nga turistët e huaj. Kjo zonë ka shumë gjëra tradicionale dhe shumë histori, dhe e meriton një këngë shumë të bukur. Unë këtë këngë e realizoj me gjithë shpirt, sepse i këndoj vendlindjes time, njërëzve të mi dhe të parëve të mi.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Gentjan Gropa: Dëshiroj të përshëndes nga zemra të gjithë adhuruesit e mi, njerëzit e mi që më ndjekin, kolegët dhe dëgjuesit e Radio Ejani.

Intervistoi: Gazmend Agaj