Foto nga VCG
Ushtria izraelite njoftoi se forcat ajrore të vendit kishin sulmuar rreth 150 objektiva në Rripin e Gazës dhe Liban brenda 24 orëve.
Në një deklaratë të Ushtrisë thuhet se objektivat ishin organizata militante palestineze Hamas dhe milicia shiite libaneze Hezbollah, citon “RTSH”.
Sipas Ushtrise izraelite, sulmet shënjestruan infrastrukturën terroriste, qendrat komanduese, depot e armëve, postet e vëzhgimit dhe raketat që kërcënojnë shtetin e Izraelit.
Sipas Ushtrisë izraelite, Hezbollahu gjuajti rreth 60 predha nga Libani të mërkurën. Disa persona u raportuan të plagosur.
Hezbollahu, aleate me Iranin, ka sulmuar kundër Izraelit që nga fillimi i luftës në Gazë, më shumë se një vit më parë. Izraeli u përgjigj me sulme masive ajrore dhe që atëherë ka nisur një ofensivë tokësore.
Për t’i shpëtuar luftimeve, rreth 1.4 milionë njerëz janë zhvendosur tani në Liban, një vend me një popullsi prej rreth 6 milionë banorësh.
Sipas burimeve libaneze, 2822 njerëz janë vrarë dhe 12.937 të tjerë janë plagosur që nga shpërthimi i luftimeve më shumë se një vit më parë.
Ushtria izraelite vlerëson se rreth 2000 luftëtarë të armatosur janë vrarë në Liban që nga fillimi i luftës, duke përfshirë 1200 që nga fillimi i ofensivës tokësore.