
Foto nga VCG
Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (WFP) lëshoi një apel urgjent për donatorët për financim të shpejtë për Sudanin e Jugut, ku miliona njerëz janë në prag të urisë, shkruan “ATSH”.
“WFP” bëri të ditur se rezervat e saj ushqimore në Sudanin e Jugut janë bosh dhe se i duhen 404 milionë dollarë financim ndihme për vitin 2025 në mes të rritjes së kostove operative dhe urisë.
Pa financim të shpejtë, “WFP”-ja bëri të ditur se do të duhet të përdorë fluturime të shtrenjta, më vonë këtë vit, për të arritur në komunitetet e izoluara më të rrezikuara për shkak të mungesës së rrugëve të kalueshme.
“Duhen muaj që fondet e premtuara nga donatorët të kthehen në ushqim në duart e të uriturve në Sudanin e Jugut. Rrjetet e kufizuara rrugore të vendit janë të pakalueshme për pjesën më të madhe të vitit, veçanërisht në pjesët lindore dhe qendrore të vendit. Pasiguria ushqimore është më e madhe”,- deklaroi Shaun Hughes, drejtor i përkohshëm i “WFP”-së për Sudanin Jugor.
Fondet e marra para fundit të këtij viti do ta lejojnë “WFP”-në të transportojë ushqime gjatë sezonit të thatë, nga dhjetori në prill.
Sipas organizatës, më shumë se gjysma (56%) e popullsisë së Sudanit Jugor nuk ka ushqim. Dhe situata pritet të përkeqësohet për shkak të inflacionit të lartë, përmbytjeve dhe fluksit të refugjatëve që ikin nga konflikti në Sudanin fqinj.
