Themeluesja e një marke mode dhe një kompani ikonë birre u bashkuan së fundmi në një festë të qytetit të tyre të përbashkët.
Marka e modës me qendër në Nju Jork, “Dawang” dhe “Tsingtao Brewery Co Ltd” prezantuan një sfilitë më 23 tetor, që kombinoi trashëgiminë tradicionale me elementet bashkëkohore, duke tërhequr audiencën e re me interes për mjeshtërinë dhe kulturën kineze.
Wang Jingwen (Daisy) / foto nga "dawangnewyork.com"
Themeluesja e “Dawang”, Wang Jingwen (Daisy), e cila ka lindur dhe është rritur në Qingdao, provincën Shandong të Kinës Lindore, tha se ajo ndihet krenare për qytetin e saj të lindjes – vendlindjen e “Tsingtao”.
"Sa herë që miqtë e mi të huaj më pyesin se nga jam, iu përgjigjem: Nga i njëjti vend si birra. Dhe njerëzit e njohin menjëherë",- tha Wang për “China Daily”.
“Për këtë bashkëpunim, ne përziem dizenjot e brokadës sonë me atmosferën e markës së birrës “Tsingtao” dhe elementet ikonë nga Qingdao, duke shtuar detaje si gruri, valët e oqeanit dhe mali Laoshan për t'i lidhur të gjitha së bashku”,- tha Wang, duke treguar një tatuazh të logos së birrës “Tsingtao” në pulpën e saj.
Wang, një e diplomuar në Shkollën e Dizajnit Parsons, e cila themeloi “Dawang” në vitin 2018, tha se dëshiron të krijojë veshje bashkëkohore që ndërthurin ndikimet lindore dhe perëndimore, për një pamje moderne të estetikës tradicionale kineze – pak a shumë si ajo vetë, pasi ka studiuar jashtë vendit, në Shtetet e Bashkuara, që kur ishte 15 vjeçe.
foto nga "dawangnewyork.com"
“Ndihem sikur gjithmonë kam dashur të përfshij elemente kineze dhe estetikë kulturore në veshjet e mia të përditshme”, - tha ajo. "Në atë kohë, stili modern kinez po shfaqej në Kinë, njerëzit po eksploronin mënyra të reja për ta nderuar. Por në botën perëndimore, moda kineze dukej e mbërthyer në të kaluarën, si 50 ose 70 vjet më parë. Shikoje të njëjtat gjëra, të njëjtët fustane, të njëjtat pëlhura, shpesh të blera në pikat turistike. Kështu që kjo më dha motivimin. Unë jam gjithmonë në kërkim të një stili më modern”, - tha ajo.
Wang shpjegoi se ajo përfshin teknikat tradicionale kineze të brokadës, së bashku me butonat kinezë dhe stilimin e shtresave në dizajnet e saj si pjesë e "imazhit të markës".
"Ne duam të ftojmë njerëz nga të gjitha prejardhjet kulturore që të vlerësojnë dhe përqafojnë këtë mënyrë jetese moderne kineze",- tha Wang. Ajo tha se shpreson se marka do të zgjojë kuriozitetin te klientët, duke i inkurajuar ata të eksplorojnë pëlhurat e përdorura në veshje, të mësojnë për historinë dhe mjeshtërinë e brokadës kineze dhe të përdorin veshje të përditshme të frymëzuara nga stili kinez.
"Përfshirja e kulturës kineze nuk do të thotë se rrobat janë “veshje tradicionale'" ,- tha Wang.
Ajo tha se dëshiron që më shumë njerëz ta përqafojnë estetikën kineze si një zgjedhje të arritshme dhe kuptimplotë të stilit të jetës pa frikën se do të jenë të papërshtatshëm kulturalisht, veçanërisht jashtë shtetit.
Ajo tha se të gjitha produktet e saj janë prodhuar në Kinë dhe ajo e ndan me krenari këtë me klientët e saj.
"Ju mund ta shihni cilësinë e rrobave dhe kjo pasqyron cilësinë e produkteve të prodhuara në Kinë",- tha ajo. “Jam krenare që fabrikat kineze mund të prodhojnë veshje me cilësi të lartë dhe ndihem gjithmonë krenare për vendlindjen time dhe trashëgiminë e saj unike”.
Muzeu i Birrës “Tsingtao” / foto VCG
“Tsingtao”, e themeluar në vitin 1903 nga tregtarët gjermanë dhe britanikë si “Germania-Brauerei Tsingtao Co Ltd”, ishte një nga fabrikat e para në Kinë dhe aktualisht është prodhuesi i gjashtë më i madh i birrës në botë. “Tsingtao” fitoi Çmimin e Artë të Kampionatit Botëror të Birrës në SHBA në 2018-n dhe 2019-n.
"Tsingtao ka recetën e vet ndërkombëtare, ashtu si “Dawang”; ne thithim kulturat e Lindjes dhe Perëndimit. Është një lidhje e përsosur",- tha Teng Wenyan, menaxhere e markës së “Paulaner USA”, importuesi ekskluziv në SHBA i birrës “Tsingtao”.
Fillimisht duke përdorur teknika gjermane të birrës dhe ujë mineral dhe përbërës nga Laoshan në Qingdao Lindore, birra “Tsingtao” kishte një recetë të huaj që shpejt fitoi popullaritet midis perëndimorëve dhe kinezëve vendas. Që nga hyrja në tregun amerikan në vitin 1972, ajo është bërë birra kineze më e shitur në Amerikë.
"Ne po ju sjellim shijen origjinale të “Tsingtao” kudo që të jeni. Pavarësisht se ku po e shijoni, ju po merrni të njëjtën shije autentike si në shtëpi në Kinë",- tha Teng.
"Përsëri në Kinë dhe në të gjithë Azinë Lindore, ne po rifreskojmë markën për të tërhequr më shumë audiencën më të re. Mund të jetë një ndryshim më i ngadaltë në SHBA, por ne po arrijmë atje",- tha ajo. "Ne nuk duam që “Tsingtao” të jetë thjesht një pije që e gjeni në Chinatown; ne po shpresojmë që më shumë të rinj të bashkohen me ne".
Teng tha se kompania planifikon të sjellë fansat e birrës “Tsingtao” në Festivalin e Birrës në Qingdao të vitit të ardhshëm, ku ata mund të përjetojnë kulturën kineze të birrës, të shijojnë shijen e freskët të birrës origjinale të hapur me afatin e saj 14-ditor dhe të ndjekin traditën lokale të marrjes së birrës në qese plastike nga "stacionet e birrës" në pothuajse çdo cep.
"Ndihet sikur kemi një komunitet këtu në Nju Jork. Ne po bashkëpunojmë dhe po ndërtojmë një rrjet për të promovuar së bashku kulturën kineze",- tha Wang. "Përmes dizajnit dhe birrës, unë dua të prezantoj qytetin tim dhe të frymëzoj më shumë njerëz për ta vizituar atë".