Foto nga VCG
Irani nuk duhet t'i kundërpërgjigjet sulmeve të Izraelit në territorin e tij, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
“Irani nuk duhet t'i përgjigjet hakmarrjes së Izraelit. Nëse Irani zgjedh të përgjigjet, SHBA-ja do të qëndrojë pranë për të ndihmuar Izraelin në mbrojtjen e tij”,- tha ajo, raporton “RTSH”.
Ndërsa zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, deklaroi se SHBA-ja beson se Irani nuk duhet t’i përgjigjet sulmit.
“Nuk do të flas për komunikimet mes dy qeverive tona, reale apo imagjinare. Por siç e kemi bërë të qartë publikisht dhe mund t'ju them se Irani e di qartë këtë mesazh, ata nuk duhet të vazhdojnë ta përshkallëzojnë këtë konflikt”,- tha ai në një konferencë për shtyp.
Sakaq, zyrtarë të lartë amerikanë ndodhen në Lindjen e Mesme për të zgjidhur konfliktet në Gaza dhe Liban dhe për të penguar një përgjigje iraniane ndaj sulmeve të Izraelit.
Vizitat pasojnë sulmet shkatërruese ajrore izraelite në Gaza dhe Liban këtë javë, duke përfshirë një sulm në Beit Lahiya, të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit e konsideroi të tmerrshëm.