Pritet publikimi i fjalorit më të madh të gjuhës shqipe, fillimisht në internet
2024-11-01 11:38:56

Fjalor i gjuhes shqipe (Foto Shtepiaelibrit)

Fjalori më i madh i gjuhës shqipe do të jetë gati këtë muaj. Ai përmban rreth 120 mijë fjalë dhe fillimisht do të publikohet në internet, ndërsa në vitin 2025 do të vijohet edhe me procesin e printimit.

Gjatë një interviste për “RTSH”, zëvendëskryeredaktori i fjalorit, profesori Shezai Rrokaj tha se ai do të jetë i hapur fillimisht në qarqet akademike për të marrë mendime, korrigjime ose ide.

Sipas tij, fjalori i ri është hartuar mbi parimin e përfshirjes së të gjitha fjalëve të trevave shqiptare.

“Qëllimi i këtij fjalori është që të ngrihet mbi fjalorët ekzistues, që janë të Akademisë së Shkencave, përkatësisht ata të viteve 1980, 1984, 2002, 2006, 2020, dhe të ketë një areal shumë të gjerë, që i përgjigjet në mënyrë të drejtë shtrirjes së hapësirës shqiptare brenda trojeve etnike”,- tha Rrokaj.

Për fjalorin e ri të gjuhës shqipet kanë punuar bashkërisht Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Kosovës si dhe gjuhëtarë nga Maqedonia e Veriut.