Ministri Balla: PE-ja mbështetës i palëkundur i procesit të integrimit europian të Shqipërisë
2024-11-01 11:17:14

Ministri Balla (Foto Rtsh)

Ministri shqiptar i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, zhvilloi një takim me eurodeputetët e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE. Ai theksoi se PE-ja mbetet një mbështetës i palëkundur i procesit të zgjerimit të BE me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, shkruan “RTSH”.

“Shqipëria ka bërë përparim të thellë falë vendosmërisë politike, mbështetjes së madhe të shoqërisë dhe punës së palodhur të administratës”,- theksoi Balla gjatë takimit.

Ai vlerësoi përkrahjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian dhe të eurodeputetëve përgjatë procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Në takim u diskutua gjithashtu për përparimet në procesin e vetting-ut dhe për operacionet e SPAK-ut, të cilat kanë çuar në hetime, ndjekje penale dhe dënime të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

“Parimet thelbësore të Bashkimit Europian, duke përfshirë respektin për të gjitha të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtat e pakicave, demokracinë dhe sundimin e ligjit, janë ideale që Shqipëria i ka zhvilluar si vlera dhe është e përkushtuar t’i mbajë dhe t’i mbrojë, si në vend ashtu edhe në forumet ndërkombëtare dhe rajonale”,- theksoi Balla.

Takimi u mbajt në një moment kyç për rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit, pas konferencës së dytë ndërqeveritare dhe hapjes së kapitujve themelorë të negociatave me BE-në.