Raporti i KE-së: Mali i Zi përparim në reforma, institucionet të cenueshme ndaj krizave politike
2024-11-01 11:28:07

Flamujt e BE-se dhe Malit te Zi (Foto Panorama)

Mali i Zi ka bërë përparim të ndjeshëm në reformën në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit, lirinë e shprehjes dhe medias, por institucionet e tij janë të brishta dhe të cenueshme ndaj krizave politike dhe bllokimeve të mundshme institucionale, thuhet në raportprogresin e Komisionit Europian për vitin 2024, të miratuar në Bruksel, bën të ditur “Panorama”.

Në dokument, KE-ja kujton se në qershor, në raportin për vlerësimin e përmbushjes së standardeve të përkohshme, ka përcaktuar se Mali i Zi ka përmbushur standardet e përkohshme për kapitullin 23, i cili përcakton standardet përfundimtare për këtë kapitull.

Kur bëhet fjalë për legjislacionin zgjedhor, në raport thuhet se korniza zgjedhore malazeze kërkon një rishikim gjithëpërfshirës, megjithëse zbatimi i zgjedhjeve është përgjithësisht i kënaqshëm.

Raporti vlerëson se Parlamenti malazez mund të ushtrojë kompetencat e tij në një mënyrë kryesisht të kënaqshme dhe vlerësohet se pavarësisht fragmentimit të vazhdueshëm të peizazhit parlamentar, formimi i shumicës në tetor 2023 i dha fund një periudhe të zgjatur të paqëndrueshmërisë politike.

KE-ja kërkon që Mali i Zi të sigurojë zbatimin e plotë dhe efektiv të kornizave të përmirësuara strategjike dhe ligjore, në mënyrë që të zgjidhë sfidat ekzistuese dhe të vazhdojë përafrimin me ligjet e BE-së dhe standardet evropiane në fushën e parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit.

Në vitin 2025, Malit të Zi i kërkohet të përmirësojë më tej rezultatet në luftën kundër korrupsionit, përfshirë korrupsionin e nivelit të lartë, duke forcuar urgjentisht zbatimin efektiv të legjislacionit penal ekzistues nga prokuroria dhe gjykatat, duke përfshirë vendosjen e dënimeve efektive dhe parandaluese.