< img height="1" width="1" style="display:none"src="https://www.facebook.com/tr?id=514174860241230&ev=PageView&noscript=1"/>
Shqipëria më pranë integrimit europian
2024-11-01 15:14:00

Komisioni Evropian mbështet Shqipërinë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në 2027. Në një komunikatë që KE ka publikuar të mërkurën për vendet aspirante thuhet se ”Shqipëria ka bërë progres për reformat dhe se ka rezultate të mirë për sa i takon luftës kundër korrupsionit”. ”Njëzet vjet pas zgjerimit më të madh në historinë e BE-së me 10 shtete të reja anëtare, anëtarësimi në BE mbetet një shtytës kryesor i sigurisë afatgjatë, paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Evropë”, sipas Komisionit Evropian. Progres-raporti i KE-së në kapitullin për Shqipërinë,  shpreh mbështetjen për Shqipërinë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në 2027. Për ecurinë e procesit të integrimit dhe pritshmëritë e finalizimit të tij ndan opinionet e tij në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës studiuesi i çeshtjeve të integrimit europian, Master i Kolegjit të Europës, Ilir Aliaj.

CMG: Më 15 tetor në Luksemburg, qeveria shqiptare nënshkroi çeljen e negociatave teknike të Shqipërisë për grup-kapitullin e parë të bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Pas gati një çerek shekulli të procesit të ngadaltë të anëtarësimit të Shqipërisë, sa pranë integrimit jemi?

Eksperti Ilir Aliaj në intervistë për CMG

Eksperti Ilir Aliaj në intervistë për CMG

Ilir Aliaj: Ne jemi pranë dhe larg. Më 15 tetor Bashkimi Europian “ka hedhur topin në fushën tone”, në një mënyrë sportive “BE na ka dhënë penalltinë dhe ne duhet ta gjuajmë”.

Fillimisht po përmend kapitujt brenda grupit të pare. Kapitulli mbi statistikat, të cilat nuk i kemi të sakta.

CMG: Në ç’kuptim? Ne kemi një Institut të Statistikave për këtë

Ilir Aliaj: Kemi institute, por jemi prezent se sa debat pati çeshtja e Censit, që u zhvillua në 2023, pa përfshirë problemet e tjera të statistikave. Tashmë do të kontrollohemi nga BE për këtë. Së dyti, administrata publike. Edhe në këtë sektor kemi problem, që i dime të gjithë. Së treti, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Këta janë kapituj shumë të rëndësishëm, ku ne kemi problematikat tona. Lidhur me reformën në drejtësi, Bashkimi Europian kërkon që t’i shkohet deri në fund kësaj reforme, duke çrrënjosur një here e përgjithmonë grupet e krimit të organizuar, por njëkohësisht edhe personat e korruptuar në sistemin e drejtësisë, në politikë, polici, kudo ku janë.

CMG: Duket disi utopike kjo, sepse nuk ka vend pa nivele të korrupsionit apo të krimit

Ilir Aliaj: Ka nivele të korrupsionit dhe krimit, por mund të marrim shembull një vend si Kroacia, ku u burgos kryeministri për korrupsion ish kryeministri Ivo Sanader, i cili duke qenë në burg i dënuar me 7 vjet, iu shtuan dhe 17 vjet të tjera. Gjithashtu Rumania ka kryer një reformë drejtësie shembullore, ku ndonëse vazhdon të ketë korrupsion, është spastruar një klasë politike, që kishte uzurpuar skenën politike . Pikërisht këtë kërkon Bashkimi Europian.

Hapet zyra e Kolegjit të Europës në Tiranë (Foto Ministria e Arsimit dhe Sportit)

Hapet zyra e Kolegjit të Europës në Tiranë (Foto Ministria e Arsimit dhe Sportit)

Një tjetër kapitull, brenda grup kapitullit të pare është çeshtja e prokurimeve publike. Në momentin që hapen negociatat mbyllet kapitulli. Nëse marrim si shembull një kompani nga Portugalia e cila ka pare në internet që në Shqipëri zhvillohet një tender publik për të ofruar një produkt apo shërbim. Kompania vjen këtu dhe jep ofertën e saj. Në kushtet që jemi, a mund ta mendojmë se kjo kompani do ta fitojë tenderin? Janë vendosur këto kapituj në grupin e pare sepse BE në analizën që ka zhvilluar për Shqipërinë thotë që këto janë pikat kryesore dhe më të rëndësishme që vendi të ecë përpara. Nëse Shqipëria përmirëson këta kapituj atëhere është e gatshme për të ecur përpara.

Bashkimi Europian ka toleruar sepse nëse kthehemi disa vite pas ka patur një rezolutë të Bundestagut gjerman e cila thotë se nëse Shqipëria nuk realizon pikat që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, reformën në administratën publike, nuk dote hapen kapitujt. Pra BE ka nënvlerësuar në këtë rast rezolutëne Bundestagut dhe hapi grup kapitullin e pare me Shqipërinë.

Sipas deklaratës së Ursula von der Leyen që vizitoi Tiranën para pak ditësh, deri në fund të vitit të ardhshëm nëqoftëse  ne bëjmë përmirësime do të hapen të gjithë grup kapitujt

CMG: Brenda një viti do të jemi në gjendje t’i realizojmë të gjitha kriteret?

Ilir Aliaj: Bëhet fjalë për përmirësime, sepse grup kapitulli i pare hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Ata e dine se sa punë duhet për këtë, por ne duhet të japim sinjale pozitive  se do të jemi të gatshëm që të fillojmë të punojmë seriozisht, ashtu siç e kërkon BE.

CMG: Në këtë proces përgjegjësinë e ka vetë Shqipëria

Ilir Aliaj: Pa diskutim që po. Na e kanë shtruar si autostradë rrugën dhe tani duhet të vazhdojmë.

CMG: Vizita në Shqipëri e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen javën e kaluar  shënoi një fazë të re në marrëdhëniet BE-Shqipëri. A pritet të ndikojë kjo vizitë në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit ?

Kryeministri Edi Rama gjatë përurimit të Kolegjit të Europës në Tiranë (Foto MIA)

Kryeministri Edi Rama gjatë përurimit të Kolegjit të Europës në Tiranë (Foto MIA)

Ilir Aliaj: Ne duhet të mësohemi që vizitat e liderëve të BE-së apo dhe vendeve të tjera të rëndësishme të tij si Gjermania, Franca, Italia do të jenë shumë të shpeshta tashmë në vendin tone. Shqipëria është një vend i vogël, por është shumë e rëndësishme nga pikëpamja gjeostrategjike. Edhe në një artikull të botuar së fundmi theksohej rëndësia e Shqipërisë dhe Perëndimi në Ballkanin perëndimor është fokusuar tek Shqipëria. U ndjeva shumë mire kur lexova një artikull të tillë në mediat amerikane.

CMG: Bëhej fjalë për turizmin?   Ndjejmë një lloj euforie turistike, sepse të gjitha mediat prestigjioze të botës po shkruajnë për turizmin në Shqipëri.

Ilir Aliaj: Në fakt, artikulli nuk kishte lidhje me turizmin, por me rëndësinë që ka Shqipëria  për BE-në dhe SHBA-në nga pikëpamja gjeopolitike. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka krijuar një besim të madh tek Shqipëria dhe kjo është shumë e rëndësishme. Këtë ajo e shprehu dhe në fjalëm e saj në Tiranë me rastin e hapjes së Kolegjit të Europës. Por duhet dhe ne të justifikojmë këtë besim. Të gjithë duhet ta kenë këtë parasysh media, universitetet, shoqëria civile, të cilat duhet të bëjnë presionin pozitiv për të nxitur institucionet shtetërore dhe klasën politike shqiptare që të bëjnë më të mirën e tyre.

Integrimi europian është një proces shumë i vështirë ndaj duhet të ketë një bashkëpunim  sa më të gjerë, por fatkeqësisht ka momente kur nuk realizohet kjo.

CMG: Viti 2025 do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë sepse do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithëshme. Gjykoni se zhvillimi i zgjedhjeve do të ndikojë në procesin e integrimit europian?

Ilir Aliaj: Besoj se si gjithmonë dhe si kudo ka tensione para dhe gjatë zhvillimit të procesit zgjedhor. Këto ditë në rajonin e Ligurias në Itali ka patur zgjedhje dhe vura re se edhe atje që është një vend me demokraci të konsoliduar dhe institucione të konsoliduara, kishte tensione  brenda dy kampeve. Ne jemi një vend që demokracinë akoma nuk e kemi të konsoliduar, po ashtu dhe institucionet, ndaj duhet të jemi të përmbajtur  dhe t’u japim më shumë besim institucioneve. Nëse dikush ka ankesë për procesin zgjedhor duhet të ndjekë rrugën ligjore dhe t’i bindet kësaj rruge. Besoj që ka ardhur momenti që të mos kemi tensionet që kemi patur në vitet e shkuara për çeshtjet e zgjedhjeve.

Zgjedhjet do të ndikojnë sepse përbëjnë pikën A të kriterit të pare të Kopenhagës, ku bëjnë pjesë pluralizmi dhe zgjedhjet e drejta dhe të ndershme. OSBE dhe ODHIR lidhur me zgjedhjet ka raport paraprak, raport në ditën e zgjedhjeve dhe raport përfundimtar, të cilat inkuadrohen në progres- raportin që bën Komisioni Europian çdo vit për Shqipërinë.

CMG: Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Tiranë javën e kaluar ishte e pranishme në përurimin e Kolegjit të Europës. Ju jeni një produkt i këtij Kolegji, le të flasim për këtë institucion që hapet për here të pare në Shqipëri.

Ilir Aliaj: Kolegji i Europës është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Zonja von der Leyen përmendi në fjalën e saj se në këtë kolegj kanë ardhur në Shqipëri studentë nga Qipro deri në Irlandë. Eshtë një moment shumë i rëndësishëm që tregon besimin që BE i jep Shqipërisë, por pritet t’i jape dhe një shtysë turizmit, sepse studentët e huaj në vendin tone do ta promovojnë atë.

Presidentja e KE Ursula von der Leyen në Tiranë (Foto RTSH)

Presidentja e KE Ursula von der Leyen në Tiranë (Foto RTSH)

Një tjetër çeshtje është se sa nga ne ish studentë të Kolegjit të Europës  jemi të përfshirë në administratën publike, sa nga ne janë thirrur për të dhënë ndihmesë për negociatat. Duhet të theksojmë se deri në 70 për qind e punonjësve të administrates së BE-së janë persona që kanë mbaruar këtë Kolegj. Kjo është për të mirën e vendit tone.

CMG:Si paraqitet procesi i integrimit në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

Ilir Aliaj: Ndër këto vende më i përparuari është Mali i Zi, i cili ka mbyllur edhe kapitullin e 20, sepse janë 35 kapituj në total. Pavarësisht se ky vend ka patur një krizë politike, por është i përparuar në procesin e integrimit europian. Serbia ka ndaluar në kapitullin13, për shkak të marrëdhënieve me Kosovën. Bosnje Hercegovina ka hapur negociatat bashkë me Maqedoninë e Veriut, por kjo e fundit u ndalua në proces për shkak të kontestimit të Bullgarisë. Këto vende i kanë hapur negociatat por jo kapitujt.

Ndërkohë është shtuar metodologjia e Francës që nëse një vend nuk ka bërë përparimet e duhura, procesi i integrimit nis nga e para. Ndërsa Kosova është ende në proces dhe ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.  Unë besoj që gjërat po ecin mire.

Intervistoi Eda Merepeza

Lajmet Kryesore

Our Privacy Statement & Cookie Policy

By continuing to browse our site you agree to our use of cookies, revised Privacy Policy. You can change your cookie settings through your browser.
I agree