Prodhuesi kinez i makinave “BYD” raporton rritje të të ardhurave dhe fitimit nga janari-shtator
2024-11-01 17:45:10

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“BYD” regjistroi rritje të të ardhurave dhe fitimeve neto si në nëntë muajt e parë ashtu edhe në tremujorin e tretë të këtij viti, njoftoi kompania kineze e automjeteve, citon “Xinhua”.

Të ardhurat e kompanisë me bazë në Shenzhen për periudhën janar-shtator ishin 502.25 miliardë juanë (rreth 70.35 miliardë dollarë amerikanë), një rritje prej 18.9 për qind në baza vjetore. Ndërsa fitimi neto gjatë kësaj periudhe u rrit me 18.1 për qind në baza vjetore në 25.24 miliardë juanë.

Në tremujorin e tretë, të ardhurat e “BYD” u rritën me rreth 24 për qind dhe fitimi neto me 11.5 për qind, bëri të ditur kompania në raportin e saj tremujor.

Si prodhuesi kryesor i makinave elektrike dhe automjeteve hibride, shitjet e automjeteve të “BYD” tejkaluan 2.74 milionë njësi në tre tremujorët e parë, me shitjet në shtator që shënuan një rekord mujor prej 419.400 njësi.

Kompania njoftoi se eksportet e saj të makinave të pasagjerëve me energji të re u dyfishuan në 298.000 njësi në nëntë muajt e parë të vitit, duke hyrë në 96 vende dhe rajone anembanë botës.

“BYD” është një nga prodhuesit e shumtë të makinave me energji të re që ka parë rritje të shitjeve, pasi Kina, e cila ka numrin më të madh të automjeteve në botë, vazhdon tranzicionin e saj drejt teknologjisë më të gjelbër.

Prodhimi i makinavev me energji të re në Kinë, midis janarit dhe shtatorit, ishte 8.3 milionë njësi, që përfaqëson një rritje vjetore prej 31.7 për qind, sipas Shoqatës së Prodhuesve të Automobilave në Kinë.