Produkte kozmetike (Foto Dometag)
Agjencia Europiane e Kimikateve (ECHA) ka identifikuar 285 produkte kozmetike që përmbajnë kimikate të ndaluara në Europë.
Nga inspektimet e kryera gjatë një projekti pilot të agjencisë, rezultoi se rreth 6% e produkteve kozmetike përmbanin substanca të rrezikshme të ndaluara sipas rregullave europiane, shkruan “Panorama”.
ECHA njoftoi se agjencitë kombëtare në 13 shtetet anëtare të Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE) kishin kontrolluar rreth 4500 produkte kozmetike dhe gjetën në 285 prej tyre substanca të ndaluara.
“Inspektimet u kryen kryesisht duke kontrolluar listën e përbërësve, gjë të cilën mund ta bëjnë lehtë edhe konsumatorët”,- thuhet në njoftimin e Agjencisë Europiane të Kimikateve.
Në lapsat e syve dhe të buzëve u gjet shpesh “perfluorononyl dimethicone”, i cili degradon në PFOA dhe PFCA, kurse në balsamet, kremi dhe maskat e flokëve ishin shpesh të pranishme D4 dhe D5.
“Konsumatorët duhet të jenë të vetëdijshëm se substancat e ndaluara u gjetën në lloje të ndryshme produktesh kozmetike, të prodhuara nga firma të ndryshme dhe në të gjitha kategoritë e çmimeve”,- thuhet në njoftimin e Agjencisë Europiane të Kimikateve.