
Foto nga VCG
Eurokomisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, e cilësoi arritje hapjen e grupkapitujve të parë të Shqipërisë me Bashkimin Europian, si dhe vlerësoi me krenari pranimin nga Këshilli i Europës të propozimeve të bëra në këtë drejtim, për të cilat po punohet, shkruan “ATSH”.
Varhelyi tha se është në interesin e Europës për t’u zgjeruar dhe ndihet i lumtur që shikon që kjo temë flitet dhe diskutohet nga liderët e BE-së.
Ai theksoi se korrupsioni nuk ka vend në Bashkimin Europian, ndërsa u kujtoi vendeve kandidate se anëtarësimi kalon vetëm te puna dhe arritjet konkrete në terren.
“Zgjerimi është një nga tre çështjet kryesore, që po diskutojnë liderët. Është në interesin e Europës për t’u zgjeruar. Korrupsioni nuk ka vend në familjen e BE. Kemi dyfishuar numrin e vendeve kandidate të BE-së. Duhet të shohim integrimin e vërtetë në terren”,- tha ai.
Përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, njëherësh zëvendëspresident i KE-së, Josep Borrell, deklaroi se Shqipëria është një prej vendeve të linjëzuara plotësisht me politikën e jashtme të Bashkimit Europian.
Në një konferencë për shtyp mbi miratimin e Paketës së Zgjerimit të BE-së, Borrell tha se në vitin 2019 ishin pesë vende kandidate për anëtarësim, kurse sot janë nëntë vende kandidate dhe një kandidat potencial, që i bën 10 gjithsej.
“Kjo tregon që BE-ja vepron si një magnet, që tërheq popujt dhe vendet fqinje, që tërheq popuj dhe shtete. E ndërkohë që integrimi europian avancon, qytetarët e vendeve kandidate gëzojnë tashmë përfitime të prekshme, pa qenë nevoja që të presin deri në fund, që të kenë gjithçka. Ky është një proces dhe përgjatë këtij procesi, përfitimet janë të prekshme dhe njerëzit i shikojnë këto përfitime çdo ditë”,- tha ai.
Borrell theksoi se tashmë duhen parë marrëdhënie më të forta sa i takon politikës së jashtme dhe të sigurisë, duke këmbëngulur te prioritetet kryesore dhe duke qëndruar fort në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta për garantimin e stabilitetit rajonal dhe të paqes në BE, sepse Unioni nuk duhet vetëm të zgjerohet, por duhet të bëhet edhe më i fortë.
