Foto nga VCG
Të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës tregojnë që, qysh nga fillimi i këtij viti, import-eksporti i mallrave i Kinës ka regjistruar rritje të qëndrueshme dhe struktura e tregtisë kineze është në përmirësim të vazhdueshëm.
Në tre tremujorët e parë të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave të Kinës arriti në 32.33 trilionë juanë, 5.3 % më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndër to, eksporti shënoi vlerën 18.62 trilionë juanë, ndërsa importi 13.71 trilionë juanë, përkatësisht 6.2 % dhe 4.1 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vjetshme. Rritja e qëndrueshme në tregti ka treguar jo vetëm epërsinë e produkteve dhe mallrave kineze, por edhe ka luajtur rol nxitës për zhvillimin me cilësi të lartë të tregtisë së jashtme të Kinës.
Po të shohim kategoritë e mallrave, eksporti i produkteve elektromekanike regjistroi vlerën 11.03 trilionë juanë, 8 % më shumë se në 9-mujorin e parë të vitit 2023, duke zënë 59.3 % të nivelit të përgjithshëm të eksportit. Ndër to, qarqet e integruara, automjetet dhe pajisjet elektroshtëpiake kanë shënuar rritje përkatësisht me 22 %, 22.5 % dhe 15.5%. Me produkte më novatore dhe me cilësi më të lartë, “Made in China” ka fituar më shumë vëmendje në tregun ndërkombëtar dhe struktura tregtare është përmirësuar vazhdimisht, duke ofruar energji të vazhdueshme për rritje e tregtisë së jashtme.
Foto nga VCG
Në tre tremujorët e parë, tregtia e jashtme e Kinës ka regjistruar rritje me mbi 160 vende e rajone të botës. Tregtia e Kinës me vendet pjesëmarrëse në nismën “Një brez, një rrugë” ka shënuar vlerën 15.21 trilionë juanë, 6.3 % më shumë se në 2023, duke përbërë 47.1 % të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Kinës. Nga kjo mund të shihet që një karakteristikë e tregtisë së jashtme kineze është mbështetja e qëndrueshme në tregje të shumta, duke pasur arritje të mira si në tregjet ndërrajonale, ashtu edhe në tregun rajonal.
Për arsye të ndryshimit të kërkesave të tregut ndërkombëtar, presionet nga ky treg janë në rritje të vazhdueshme, çka ka nxitur ndërmarrjet e tregtisë së jashtme të Kinës të shtojnë investimet në kërkim e zhvillim dhe të nxisin përmirësimin e strukturës së produkteve nëpërmjet inovacionit teknologjik. Këto ndërmarrje kanë nxitur zhvillimin e shpejtë të sektorit të prodhimit të përparuar, si prodhimi cilësor, inteligjent e i gjelbër, duke u bërë pararojë e strategjisë tregtare të “daljes jashtë vendit” me cilësi të lartë.
Sipas statistikave, në janar-gusht të këtij viti, në mbarë Kinën janë krijuar 36 968 ndërmarrje me investime të huaja, 11.5 % më shumë se në të njëjtën periudhë të 2023-shit. Investimet e huaja janë bërë kryesisht në sektorin e prodhimit dhe atë të shërbimit. Sektori i prodhimit të teknologjisë së lartë zë 12.4 % të vëllimit të përgjithshëm të përdorimit real të investimeve të huaja në mbarë vendin, çka ka treguar përpjekjet e pandërprera të Kinës për nxitjen e zhvillimit cilësor të tregtisë, për t’u përshtatur me integrimin e ekonomisë globale dhe për të ngritur konkurrueshmërinë dhe ndikimin e vet në zinxhirët globalë të prodhimit, të furnizimit dhe të vlerës.
Foto nga VCG
Krijimi i risive në prodhim, shtimi i investimeve dhe zgjerimi i tregtisë me më shumë vende, qoftë rajonale, qoftë ndërrajonale, kanë si synim që të krijohet një gjendje e qëndrueshme e tregtisë mes Kinës dhe botës. Stabilizimi i investimeve të huaja dhe tregtisë me vendet e tjera është një strategji afatgjatë e Kinës dhe përbën faktor të rëndësishëm që tregtia kineze të ngjitet në një shkallë të re, duke shërbyer si urë që lidh tregun e madh të brendshëm të Kinës me tregun gjigant të botës. Kjo pa dyshim do të sjellë një rritje mjaft të madhe për tregtinë dhe investimet globale. (Jiang Lei)