Ambasadori Gonzato i dorëzoi kryeministrit Rama Raportprogresin e BE-së për Shqipërinë
2024-11-01 15:41:05

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, i dorëzoi kryeministrit Edi Rama Raportprogresin e BE-së 2024 për Shqipërinë.

Në një konferencë të përbashkët shtypi, ambasadori Gonzato deklaroi se BE-ja mbështet planin e Shqipërisë për të mbyllur të gjithë kapitujt e anëtarësimit brenda vitit 2027, duke shtuar se është diçka ambicioze, shkruan “ATSH”.

“Komunikata që u miratua shpreh mbështetjen dhe gatishmërinë e Komisionit për të shoqëruar qeverinë shqiptare për të çelur të gjithë kapitujt në vitin 2025. Është shumë ambicioze, por edhe Shqipëria është ambicioze. Kjo është treguar nga proceset e skanimit nga ana e BE-së, kjo është një ofertë nga ana jonë për gatishmëri dhe mbështetje, por kërkon edhe përpjekje të konsiderueshme dhe vullnet politik nga ana e Shqipërisë, por edhe gatishmërinë e shteteve anëtare për çeljen e kapitujve. Nëse shtetet anëtare janë të bindura se Shqipëria vërtet ka bërë progres dhe ka përmbushur piketat e anëtarësimit që janë të nevojshme për të kaluar në këtë fazë, jam besimplotë që mund të bëjmë progres në këtë drejtim”,- tha ambasadori Gonzato.

Kryeministri Rama deklaroi se progresraporti është një bazë e pazëvendësueshme të dhënash kur flitet për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Ai theksoi se raporti është publik, kushdo mund ta lexojë e vlerësojë, pasi është pasqyra më e detajuar dhe më besnike e realitetit të zhvillimeve në vend të 12 muajve të fundit.

Sipas tij, Europa, BE-ja dhe KE-ja janë bekimi më i madh për një vend si Shqipëria, që përndryshe do ta kishte të pamundur të bënte shtetin që po bën dhe të bëhej pjesë e një familjeje me vlera, me standarde dhe me kritere funksionimi që nuk i gjen askund tjetër në botë.

Kryeministri Rama falënderoi ambasadorin e BE-së në Shqipëri për mbështetjen.

“Faleminderit për raportin, për vlerësimet, për kritikat dhe për detyrat! Ne jemi nxënës ambiciozë në këtë proces. Më vjen shumë mirë që nga viti në vit marrim nota më të mira, por jemi të vetëdijshëm që për të marrë notën maksimale, që është vula e anëtarësimit në BE, kemi ende shumë për të bërë dhe kemi të meta e boshllëqe për të adresuar. Jemi të bindur që kemi gjithë kapacitetet për t’i adresuar dhe falë edhe partneritetit gjithmonë e më të ngushtë që kemi me delegacionin e Komisionit Europian këtu dhe vetë KE-në në Bruksel”,- theksoi kryeministri Rama.