
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Lin Jian/VCG
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Lin Jian deklaroi të enjten në një konferencë shtypi se Kina do të qëndrojë me vendosmëri në anën e drejtësisë ndërkombëtare, duke vazhduar të mbështetë popullin kuban në kundërshtimin e ndërhyrjes së jashtme dhe embargos, si edhe në ruajtjen e sovranitetit dhe të dinjitetit kombëtar.
Të mërkurën, pasi përfunduan debatet mbi temën "A duhet t'i jepet fund embargos ekonomike, tregtare dhe financiare të Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës", pjesëmarrësit në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara votuan për projektrezolutën A/79/L.6. Rezultati ishte 187 vota pro, dy kundër dhe një abstenim. Dy vendet që votuan kundër ishin Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me këtë në një konferencë shtypi, zëdhënësi Lin Jian tha: "Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi përsëri një rezolutë për këtë çështje me 187 vota pro. Kjo pasqyron mbështetjen e saj të vendosur për luftën e popullit kuban për të mbrojtur sovranitetin e për të kundërshtuar ndërhyrjen dhe bllokadën e jashtme, si edhe tregon dënimin dhe kundërshtimin njëzëri të bashkësisë ndërkombëtare për veprimet e palës amerikane, si ngacmimi, unilatelarizmi dhe shkelja e parimeve të Kartës së OKB-së.”
Sipas statistikave të palës kubane, embargoja e ShBA-së i ka shkaktuar Kubës mbi 160 miliardë dollarë amerikanë humbje gjatë më shumë se 60 vjetëve. Vetëm nga marsi i vitit 2023 deri në shkurt të këtij viti, humbjet i kaluan 5 miliardë dollarë, duke prekur pothuajse të gjitha fushat e jetesës së njerëzve, si ushqimet, ilaçet, karburanti, energjia etj.
