Gjenerali ukrainas: Vija e frontit të Ukrainës po shkatërrohet
2024-11-01 12:00:25

Foto nga VCG

Gjenerali ukrainas Dmytro Marchenko deklaroi se vija e parë e frontit po shkatërrohet përballë përparimeve ruse dhe një nga arsyet kryesore është furnizimi i pakët me municione. Ai e cilësoi planin e fitores të presidentit Volodymyr Zelensky si të gabuar, shkruan “RTSH”.

Në një intervistë të botuar në internet, ai tha se me nuk zbulohet asnjë sekret ushtarak nëse thuhet se fronti ukrainas është shkatërruar.

Këtë javë, forcat ruse pretenduan pushtimin e qytetit të Selydove, i cili kishte një popullsi të paraluftës prej rreth 20.000 njerëz dhe shtrihet midis Donetskut dhe Pokrovskut.

Ushtria e Ukrainës nuk ka komentuar mbi pretendimet e Rusisë mbi Selydove, por gjenerali Marchenko pranoi se ushtarët rusë kishin hyrë në qytet.

“Mendoj se në të ardhmen e afërt ata do ta rrethojnë dhe do ta kapin plotësisht, gjë që do t’u japë atyre një dalje taktike në Pokrovsk. Kjo është shumë e keqe për ne”,- tha ai.

Gjenerali tha se dobësia ukrainase përgjatë vijës së frontit vjen nga mungesa e municioneve, problemet me rekrutimin ushtarak dhe udhëheqja e dobët. Ai theksoi se plani i fitores i Zelenskyt ishte shumë i fokusuar në lutjen e aleatëve perëndimorë për më shumë mbështetje.

“Këtij plani i mungojnë pikat që adreson Ukrainën apo nevojat e vendit”,- tha gjenerali Marchenko.