Qarqet akademike dhe të biznesit europiane kundërshtojnë rritjen e tarifave të BE-së ndaj makinave elektrike kineze
2024-11-01 15:36:12

汽车---[qì chē]---Makinë

Bashkimi Evropian shpalli të martën vendosjen e tarifave pesëvjeçare antisubvencion ndaj automjeteve elektrike që importohen nga Kina, si vendim përfundimtar i hetimit të tij të nisur vjet.

Foto nga VCG

Makina elektrike kineze në ekspozitën e automjeteve të Parisit, 14 tetor 2024, Francë/VCG

Për këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës  Lin Jian komentoi në një konferencë shtypi të organizuar të mërkurën se, pa kërkesën e qarqeve të industrisë përkatëse, pala europiane këmbënguli në kryerjen e hetimit dhe vendosi tarifa të larta ndaj makinave elektrike kineze, gjë që është një shembull tipik i proteksionizmi tregtar. Një vendim i tillë, sipas zëdhënësit, do të dëmtojë bashkëpunimin Kinë-BE në zinxhirët e industrisë e të furnizimit, interesat e konsumatorëve evropianë, si edhe transformimin e gjelbër të BE-së dhe përpjekjet globale për të përballuar ndryshimet klimatike.

Veprimet e proteksionizmit tregtar të BE-së janë pritur me pakënaqësi e kundërshtim edhe nga qarqet akademike dhe të biznesit evropiane, sipas të cilave këto masa do të dëmtojnë interesat e konsumatorëve evropianë, do të pengojnë transformimin e përmirësimin e industrisë evropiane të automobilave dhe do të ndikojnë në bashkëpunimin tregtar dhe të investimeve BE-Kinë.

Victor de Decker, studiues i Institutit Mbretëror për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Belgjikës, tha se industria e automjeteve me energji të reja nuk është e mbyllur. Krahas transformimit të shpejtë drejt elektrifikimit, inteligjencës dhe lidhjes me internetin, teknologjia dhe zinxhirët e furnizimit po ndërthuren gjithnjë e më shumë, gjë që kërkon kultivimin e një mjedisi të mirë për hapje dhe ndarje të përbashkët. Kina tani është një "inkubator" për risitë në fushën e automjeteve elektrike. Shumë kompani evropiane shpresojnë të marrin teknologjinë më të fundit nga tregu kinez, por rritja aktuale e tarifave mund të bëjë që ato të humbasin mundësitë e zhvillimit.

Foto nga VCG

Makina elektrike kineze në ekspozitën e automjeteve të Parisit, 14 tetor 2024, Francë/VCG

"Nga këndvështrimi i kompanive evropiane të automobilave, shumica e tyre i kundërshtojnë fuqimisht këto tarifa. Ato janë kundër këtyre tarifave për një sërë arsyesh. E para është që ato janë të shqetësuara se kundërmasat e Kinës do t'i bëjnë të humbasin konsumatorët kinezë, dhe Kina është tregu më i madh i automobilave në botë. Nga ana tjetër, shumë risi teknologjike po ndodhin në tregun dhe në industrinë e automjeteve të Kinës. Këto kompani nuk dëshirojnë të humbasin inovacionin që po ndodh në Kinë," tha De Decker-i.

Megjithëse BE-ja ka marrë vendimin për tarifa shtesë pesëvjeçare për automjetet elektrike kineze, të dyja palët ende po vazhdojnë negociatat për çështjen e premtimit lidhur me çmimet. Në këtë drejtim, komuniteti evropian i biznesit shpreson në përshpejtimin e këtyre negociatave, për të arritur përparime thelbësore sa më shpejt të jetë e mundur.

Për këtë kryetari i Dhomës së Tregtisë Kinë-Itali Lorenzo Riccardi tha: "Rëndësia e marrëdhënieve ekonomike BE-Kinë është e qartë. Për shembull, disa vende, si Italia dhe Spanja, po promovojnë investimet kineze në Evropë, veçanërisht për sjelljen e teknologjisë kineze mbi automjetet elektrike. Të gjitha këto kanë të bëjnë me zhvillimin strategjik dhe tregun europian, sepse ato nënkuptojnë sjelljen e teknologjive të reja dhe të zhvillimit të vazhdueshëm. Ndaj Kina është shumë e rëndësishme për kompanitë evropiane, qofshin ato të vogla, të mesme apo të mëdha.”

Foto nga VCG

Konsumatorë kinezë provojnë makinë elektrike të Volkswagenit në ekspozitën e automjeteve të Shangait, 18 prill 2024/VCG

Ndërsa Roland Brouwer, drejtori për rajonin evropian i një kompanie holandeze, u bëri thirrje të dyja palëve t'i zgjidhin mosmarrëveshjet nëpërmjet negociatave dhe konsultimeve:

"BE-ja dhe Kina janë partnere kryesore tregtare të njëra-tjetrës, kështu që fërkimet ekonomike dhe tregtare do të dëmtojnë interesat dypalëshe dhe arritja e një konsensusi me anë të negociatave është në interesin e tyre. Unë besoj se është shumë e rëndësishme që të shtojmë mirëkuptimin dhe të marrim parasysh shqetësimet e secilës palë nëpërmjet dialogut dhe konsultimve.”