Qytetit Studenti do t’i shtohen dhe 5 godina të reja
2024-11-01 11:37:20

Qytet Studenti (Foto Balkanweb)

Qytetit Studenti do t’i shtohen edhe pesë godita të reja me standarde europiane. Transformimi i konvikteve të studentëve vjen falë mbështetjes financiare të qeverisë gjermane, përmes bankës “KfW”, ku përfshihet edhe rikonstruksioni i 15 godinave të tjera, me programin “Rehabilitimi me eficiencë energjetike i konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri”. Nga ky investim përfitojnë më shumë se 2600 studentë, çka përmirëson ndjeshëm kushtet e tyre të jetesës dhe të studimit, shkruan “Panorama”.

Gjatë ceremonisë së përurimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri të ditur se tha se ky investim në bashkëpunim me qeverinë gjermane ofron një realitet të ri për të studentët.

Sipas tij, finalizimi i kësaj pune i shkon për shtat aspiratës për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, por edhe ritmit të bashkisë në mbylljen e projekteve.

“Gjermania është donatori më i madh për Shqipërinë. Rekordi ynë është për përfundimin e shpejtë të punëve që ne bëjmë së bashku. Ky fryt sot i është përgjigjur aspiratës për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”,- tha Veliaj.

Ai theksoi se sfida tashmë është që modeli i godinave në Qytetin Studenti të ndërmerret edhe në universitete të tjera.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, i ngarkuari me punë në Ambasadën gjermane, Thilo Schroeter, dhe përfaqësuesi e Bankës gjermane për Zhvillim “KfË”, Stephan Opitz.