Momente nga filmi Kapedani Xha Sulo dhe Xha Beqo (Foto nga facebook)
Filmi “Kapedani”, një nga komeditë më të bukura të realizuara nga kinematografia shqiptare para viteve 90-të u shfaq pas restaurimit në cilësinë 4K në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “TIFF”. Filmi është titruar në anglisht, por së shpejti do të titrohet edhe në gjuhë të tjera, pasi vitin e ardhshëm pritet të marrë pjesë në festivalet ndërkombëtare të filmit. “Kapedani” është xhiruar në vitin 1972 me regji të Muharrem Fejzos dhe Fehmi Hoshafit, me skenar nga Skënder Plasari, i frymëzuar nga një personazh real në Dardhë të Korçës. Një temë kushtuar emancipimit të gruas, realitetit të ri, ku grate shqiptare po luftonin për barazinë gjinore. Dashamirës të artit dhe kulturës ishin të pranishëm në premierën e restaurimit të filmit “Kapedani”, e cila u shfaq në kuadër të festivalit “TIFF”, ku për herë të parë u prezantua versioni i përmirësuar 4K, i cili u bë i mundur falë projektit “Sezoni i filmave Klasikë”, një nismë e ACE-Association des Cinematheques Europeennes, me mbështetjen e Programit Creative Europe Media.
Robert Ndrenika (Foto nga Facebook)
“Kapedani” mbetet një nga prodhimet më të mira të Kinostudios “Shqipëria e re”. Gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “TIFF”, kjo komedi u nderuan me çmimin “Mirënjohje” akorduar krijuesve dhe aktorëve protagonistëve të filmit Muharrem Fejzo, Fehmi Hoshafi, Albert Vërria, Nikolin Xhoja, Valbona Simixhiu, Ilia Tërpini, Shyqyri Sako, si dhe aktori i pranishëm në këtë ceremoni Robert Ndrenika.. Joe Artid Fejzo, i biri i regjisorit të mirënjohur, Muharrem Fejzo, ruan ende kujtime të bukura të fëmijërisë gjatë xhirimeve të filmit “Kapedani”, ku spontanisht është bërë pjesë e tij me një rol të vogël. Në intervistë për Radio Ejani ai rrëfen me emocion këto përjetime
Kantautori Joe Artid Fejzo djali i regjisorit Muharrem Fejzo & drejtoresha e AQSHF, Marinela Ndria (Foto nga Kristaq Janushi)
CMG: Filmi "Kapedani" realizuar me regji nga babai juaj, Muharrem Fejzo, në bashkëpunim me regjisorin Fehmi Hoshafi, tashmë erdhi i restauruar. Çfarë emocionesh përjetove gjatë shfaqjes së primierës ?
Joe Artid Fejzo: Pak e vështirë të flasësh për këtë film, pas viteve ku u rritëm me këto copëza filmi, të cilat pasuruan jetën e tim eti, por edhe të gjithë artistëve e bashkëpunëtorëve që i japin jetë filmit “Kapedani”.
CMG: Çfarë kujton nga xhirimet e filmit?
Joe Artid Fejzo: Kujtoj momentet e xhirimeve kur isha vetëm 7 vjeç dhe ishte fat i madh që xhirohej gjatë periudhës së verës. Ne ishim afër kur xhiroheshin skenat masive, "ato të luftës", ëndrra e Xha Sulos, momenti kur hidheshin fletët që xhirohej në boulevard me dy protagonistët dhe antagonistët. Pas xhirimeve ishim në skena që ndjeheshim më shumë se një familje. Nuk mund të lesh gjurmë të thella në histori, po të mos kishe ndjenjën e fortë mes njëri -tjetrit. Ky është një rigjenerim i filmit, është një dhënia e një jete të re për ta shpëtuar atë nga vdekja. I falenderoj të gjithë personat që kanë punuar për këtë film. Kjo është një shenjë solidarizimi i hapave që janë hedhur në ato vite, mes sakrificave të shumta edhe pas kamerave.
Në promovimin e filmit Kapedani me Joe Artid Fejzon, djali i regjisorit Muharrem Fejzo (Foto për CMG)
Në promovimin e filmit në kinema “Millenium” drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Marinela Ndria theksoi: “Nuk ishte më bukur, sesa ta bënim këtë premierë në këtë festival. Falenderojmë organizatorët dhe drejtuesit e festivalit që na e bëri pjesë këtë film dhe shpresojmë që çdo vit do jemi pjesë në këtë festival me një premierë të restauruar të filmave tonë. Ky film vjen pas 52 vitesh i rijetësuar dhe së shpejti do të jetë në festivalet ndërkombëtare, të cilat kanë kushtin e tyre kryesor që filmat duhet të jenë të restauruar, për arsye të ruajtjes të auticitetit të veprës ashtu siç autori ka dashur që në kohën kur e ka xhiruar, e jo si koha që e dëmton filmin, figurën apo zërin e kësaj vepre arti. Jemi shumë të lumtur që i hapet rruga. Do jemi besoj në vitin 2025 në festivale ndërkombëtare jashtë vendit. Besoj se do filmi do duartrokitet shumë në arenën ndërkombëtare. Filmi vjen i digjitalizuar në 4K. Ka filluar puna që në maj dhe vjen i titruar edhe në anglisht. Në varësi të festivaleve ne i titrojmë në gjuhë të ndryshme”.
Regjisorët e filmit Kapedani Muharrem Fejzo (majtas) dhe Fehmi Hoshafi (djathtas) /Foto nga facebook
Filmi “Kapedani” shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare që regjisori Fehmi Hoshafi realizoi në bashkëpunim me regjisorin Muharrem Fejzo, pasuar me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi si “Ëndërr për një karrige”, (1984) dhe “Zëvendësi i grave”, (1987). Në periudhën 1976 – 1990 realizoi edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi “Shoku ynë Tili”, i cili është nderuar me çmim në Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë e të Rinj, Giffoni, në Salerno, Itali.
Ndërsa regjisori Muharrem Fejzo, përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), punoi si asistent regjisor në filmat artistikë, “Prita” (1968) me regji nga Mithat Fagu dhe “Njësiti Guerril” (1969) me regji nga Hysen Hakani. Gjatë karrierës së tij regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma ndër të cilët Operacioni “Zjarri” (1973), “Fije që priten” (1976), “Gunat përmbi tela” (1977) “Mësonjëtorja” (1979), etj. Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, regjizori Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.
Filmi “Kapedani” u shfaq në kinematë e kryeqytetit me titra në anglisht, por pritet që të shfaqet vitin e ardhshëm edhe në festivalet ndërkombëtare. Një sukses i kinematografisë tonë me pjesëmarrjen e emrave të njohur të artit shqiptar të cilët kanë bërë histori. Një film në zhanrin e komedisë, batutat e të cilit janë të njohura nga të gjitha brezat. Arti i mirë e gjërat e bëra me përkushtim e dashuri, jetojnë gjatë. Ndërsa artistët kanë vetëm një datë, atë të lindjes.
Intervistoi: Sava Lena