Foto nga VCG
Në një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë bëhet e ditur se një numër rekord prej rreth 8.2 milionë rastesh me tuberkuloz u diagnostikuan në botë vitin e shkuar, shifra me e lartë e regjistruar qëkur OBSH-ja nisi monitorimin e sëmundjes në vitin 1995, shkruan “RTSH”.
Në raportin botëror për tuberkulozin, OBSH-ja vë në dukje sfidat që vijojnë në adresimin e tuberkulozit, siç janë mungesa e financimeve në luftën kundër tij.
Numri i humbjeve të jetëve nga tuberkulozi ra nga 1.32 milionë në vitin 2022 në 1.25 milionë më 2023-shin, ndërsa numri total i personave që u infektuan me virusin që shkakton sëmundjen u rrit nga 7.5 milionë dy vite më parë në 8.2 milionë vitin e shkuar.
Megjithatë jo të gjitha rastet janë diagnostikuar dhe OBSH-ja pretendon se faktikisht vitin e shkuar me tuberkuloz u infektuan 10.8 milionë persona në të gjithë botën.
“Është ulëritës fakti që tuberkulozi ende vret dhe sëmurë kaq shumë persona kur kemi mjetet për ta parandaluar, gjurmuar dhe trajtuar”,- deklaroi kreu i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus, ndërsa u kërkoi të gjitha vendeve të marrin masat për t’i dhënë fund sëmundjes.
Sipas raportit, më shumë se gjysma e rasteve u shënuan në Indi, Indonezi, Filipine dhe Pakistan. Rreth 55 për qind e të prekurve ishin burra, 33 për qind gra dhe 12 për qind fëmijë e adoleshentë.
Tuberkulozi, sëmundje e parandalueshme dhe e kurueshme, shkaktohet nga bakterie që zakonisht prekin mushkëritë. Sëmundja përhapet përmes ajrit, kur të infektuarit teshtijnë, kolliten apo pështyjnë.
Numri i madh i rasteve vitin e shkuar u shkaktua nga pesë faktorë kryesorë: kequshqyerja, infektimi me HIV/AIDS, çrregullimet në përdorimin e alkoolit, diabeti dhe duhanpirja.