Flamujt e BE-se (Foto Rtsh)
Ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u shpreh i inkurajuar nga mbështetja e Komisionit Europian për qëllimin ambicioz të Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, si dhe për hapjen e një grupi tjetër të kapitujve këtë vit.
Në një reagim në platformën “X”, pas publikimit të progresraportit të vitit 2024 nga Komisioni Europian për Shqipërinë, kryediplomati Hasani tha se njohja e progresit të vendit në raport pasqyron angazhimin e fortë në përparimin e reformave dhe për të fituar ritmin në negociatat e anëtarësimit në BE, shkruan “RTSH”.
“Ne jemi veçanërisht të inkurajuar nga mbështetja e KE-së për qëllimin tonë ambicioz për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, si dhe për hapjen e një grupi tjetër të kapitujve këtë vit. Shqipëria mbetet e palëkundur në përafrimin e plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke mbështetur parimet evropiane të sigurisë. Ne do të vazhdojmë të luajmë një rol aktiv në promovimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajonin e Europës Juglindore”,- theksoi Hasani.
Komisioni Europian vlerësoi gjatë publikimit të Raportit Vjetor për Shqipërinë se vendi ka ruajtur përgjithësisht një nivel të lartë ambicie për të ecur përpara në negociatat e anëtarësimit. Sipas raportit, procesi i vazhdueshëm i bisedimeve të anëtarësimit duhet të çojë në një përshpejtim të reformave të lidhura me BE-në.
Dy javë më parë Shqipëria nisi bisedimet konkrete për anëtarësim me hapjen e grupkapitullit të parë, të njohur si Themeloret, ku përfshihen fusha të rëndësishme që nga Gjyqësori dhe të Drejtat themelore, te Drejtësia e Siguria, Prokurimet publike, Statistikat dhe Kontrolli financiar.
Sa i takon qeverisë shqiptare, Komisioni Europian thotë se ajo vazhdoi të tregojë përkushtimin e saj për integrimin në BE, por nga ana tjetër vihet në dukje se ka shqetësime për ndarjen e përgjegjësive ndërmjet pushtetit vendor dhe atij qendror.
Sa i takon luftës ndaj korrupsionit, Shqipëria vlerësohet të jetë mes të qënit disi e përgatitur dhe mesatarisht e përgatitur dhe se në disa drejtime ka treguar përparime.
Raporti vlerëson rezultatet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ndjekjen dhe hetimin çështjeve komplekse antikorrupsion, përfshirë ato që lidhen me politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë, si dhe çështjet që përfshijnë mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
Megjithatë vihet në dukje se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe përpjekjet parandaluese kanë pasur një ndikim të kufizuar.
Sipas raportit, edhe për luftën kundër krimit të organizuar është SPAK-u ai që ka marrë vlerësime, por vendit i kërkohet që të vazhdojë të punojë për të siguruar pavarësinë e agjencive të saj të zbatimit të ligjit.